FBI ua gjeti “dheun nën këmbë” – Prokuroria paraqet provat kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit
“Dheu nën këmbë”, analizat e ADN-së dhe ekspertizat e FBI-së janë në qendër të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, të cilët, pavarësisht provave të paraqitura, janë deklaruar të pafajshëm. Në seancën e parë gjyqësore, Dragisha Viçentijeviq, Jovan Viçentijeviq dhe Igor Dimiq mohuan akuzat për sulmin…
Lajme
“Dheu nën këmbë”, analizat e ADN-së dhe ekspertizat e FBI-së janë në qendër të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, të cilët, pavarësisht provave të paraqitura, janë deklaruar të pafajshëm.
Në seancën e parë gjyqësore, Dragisha Viçentijeviq, Jovan Viçentijeviq dhe Igor Dimiq mohuan akuzat për sulmin e 29 nëntorit 2024, për të cilin Prokuroria pretendon se ishte një operacion i planifikuar me synim dëmtimin e infrastrukturës kritike dhe paralizimin e funksionimit të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit transportuan nga Serbia rreth 20 kilogramë eksploziv TNT, të cilin e vendosën në kanalin e Ibër-Lepencit, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe sistemin energjetik të vendit.
Një nga provat kryesore të paraqitura nga Prokuroria është ekspertiza gjeologjike e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), sipas së cilës dheu i gjetur në çizmet e Jovan dhe Dragisha Viçentijeviqit përputhet me mostrat e marra në vendin e shpërthimit.
Aktakuza mbështetet gjithashtu në analizat e ADN-së, të realizuara nga Agjencia e Forenzikës së Kosovës dhe të verifikuara nga Policia Shkencore e Italisë. Sipas Prokurorisë, profili gjenetik i Jovan Viçentijeviqit u identifikua në një fitil ndezës 9.2 metra të gjatë të gjetur pas sulmit, me 20 nga 24 lokuset e analizuara që përputheshin me ADN-në e tij.
Përveç provave shkencore, Prokuroria ka paraqitur edhe armë, municion, granata, uniforma ushtarake, analiza të pajisjeve elektronike, si dhe të dhëna që, sipas saj, dëshmojnë se një pjesë e përgatitjeve për sulmin janë zhvilluar në poligonin ushtarak serb “Livadhet e Pasulit”.
Për Jovan Viçentijeviqin rëndon edhe akuza për spiunazh, pasi Prokuroria pretendon se ai ka vepruar në interes të shërbimit inteligjent ushtarak serb, duke mbledhur dhe transmetuar informacione konfidenciale.
Sipas Prokurorisë Speciale, sulmi në Ibër-Lepenc nuk ishte një akt i izoluar, por pjesë e një serie operacionesh të organizuara kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, pas sulmit ndaj KQZ-së në Mitrovicë, barrikadave në veri, përplasjes me KFOR-in dhe sulmit të armatosur në Banjskë./lajmi.net/