Hamza e Abdixhiku i thonë “po” takimit me Kurtin, Gjini e refuzon ftesën
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, kanë nisur konsultimet politike për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa për takim liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari…
Lajme
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, kanë nisur konsultimet politike për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa për takim liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, duke theksuar se vendi ka nevojë për funksionalizimin e institucioneve, transmeton lajmi.net.
“Po flasim për krijimin e institucioneve të vendit. Kosova po përballet me vakum institucional dhe kjo mungesë e stabilitetit po e dëmton vendin. Prandaj, duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj se secili prej nesh duhet të sillet në atë mënyrë. Ftesa duhet të dërgohet ashtu siç e kërkon rendi, nga kryetari që ka më së shumti ulëse në Kuvend. Ftesa për takim është për sot në orën 17:00. Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme. Nuk jam kundër takimeve. Para se të flasim për pozita, janë më të rëndësishme prioritetet dhe adresimi i sfidave që i ka Kosova. Nëse nuk dakordohemi për këto, unë ia ktheva shkresën që PDK-ja të takohet në orën 09:00 nesër”, tha Hamza.
Pozitivisht ftesës iu përgjigj edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili bëri të ditur se takimi do të zhvillohet në formatin “2 me 2”.
“Unë sot kam marrë një letër ftesë për takim me kryetarin e LVV-së, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë here do të takohemi 2 me 2 dhe do ti përgjigjem pozitivisht kësaj ftese”, ka thënë Abdixhiku.
Ndryshe nga PDK-ja dhe LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendosi të mos marrë pjesë në takim. Kryetari i saj, Ardian Gjini, tha se AAK-ja e ka bërë tashmë publike ofertën e saj për zhbllokimin e institucioneve dhe nuk e sheh të nevojshëm një takim të ri.
“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme, pa kushte ose kërkesa vetjake, të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojmë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, ka deklaruar Gjini.
AAK-ja e ka kushtëzuar mbështetjen për krijimin e institucioneve me pranimin e gjashtë pikave të saj programore, të cilat përfshijnë projektin e gazit amerikan, ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, lehtësime për bujqësinë, financimin e projekteve infrastrukturore dhe krijimin e një fondi të veçantë për investime në Prishtinë.
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 53 mandate, PDK 22, LDK 18, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi shtatë ulëse në Kuvendin e Kosovës./lajmi.net/