Hashim Thaçi takon atë që e propozoi për Çmimin Nobel
Kryeministri Hashim Thaçi sot në Mynih ka biseduar me Anders Fogh Rasmussen, Frank-Walter Steinmeier dhe Eliot Engel. Tema e bisedimeve ka qenë progresi i Kosovës dhe e ardhmja e saj euroatlantike.
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Ai sot është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Andres Fogh Rasmussen dhe disa politikanë të tjerë, me të cilët ka diskutuar për perspektivën euroatlantike të Kosovës.
“Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynhen, pata një shkëmbim të frytshëm me Sekretarin e NATO-s Anders Fogh Rasmussen dhe Ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier. Pata takim edhe me Zëvendës Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan dhe mikun Eliot Engel”.
Eliot Engel është propozuesi i parë që Kryeministri Thaçi bashkë me homologun e tij serb, Ivica Dacic dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton të laureohen me Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit.
“Bisedat u përqendruar në progresin e arritur në Kosovë, konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, perspektivën euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar në Facebook, Hashim Thaçi.