Haradinaj: Protesta e 18 prillit do të jetë masive dhe paqësore (Video)
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se protesta e planifikuar të mbahet më 18 të këtij muaji, do të jetë tejet masive. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se forma e kësaj proteste do të jetë paqësore.
Lajme
Pas një takimi që pati me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës për Kosovën, Haradinaj ka përsëritur kërkesat që do të jenë gjatë kësaj proteste.
“Ne mendojmë që kjo është një detyrë e jona për me lehtësu zërin qytetarë me protestu për proceset për temat që janë të ndjeshme në Kosovë: kapja e shtetit, shkalla e lartë e korrupsionit, çmimi shumë i lartë i energjisë në vend, kapja e mediumit publik, një instrumentalizim i skajshëm i Gjykatës Kushtetuese, situata e pa definuar me Trepçën, janë tema që na preokupojnë”.
I pyetur për deklaratat e bëra në opinion se opozita deri më tan nuk ka dhënë ndonjë alternativë, përveç protestës, Haradinaj është përgjigjur se përmes formave tjera, zëri i tyre nuk po dëgjohet nga institucionet, ndërsa ka kritikuar disa nga analistët se po e akuzojnë opozitën, pasi që, sipas tij, ata janë të zgjedhur nga vetë pozita.
“Për fat të keq zëri ynë nuk po ndihet aq larg se pozita ka blerë analistë të ndryshëm, media e shumë çka, por ne kemi dhënë alternativë në vazhdimësi”.
“Një qeveri e tillë është mirë më shku sa më shpejtë, qëllimi është me ballafaqu me gjendjen që ka në vend”.
Haradinaj nuk ka dashur të flas për planet e mëtejme, pasi ka thënë se ende nuk e di nëse pas 18 prillit do të vazhdohet me protesta, duke thënë se për këtë do të diskutojnë me partitë tjera opozitare.
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka përmendur edhe krijimin e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke thënë se ky se Asociacion po bëhet republikë në vete.
“Ky Asociacion përditë e më shumë po i merr përmasat e veta të një republike brenda Republikës së Kosovës, me kompetencat ekzekutive për të cilat po diskutohet dhe për të cilat po flitet se do të jenë pjesë e këtij institucioni”.
“Kërkesat janë të drejtuara për secilën çështje për këtë kapje, natyrisht Qeveria e Kosovës është ajo e cila e ka kapur shtetin përmes individëve në të, e cila po pengon që Republika e Kosovës të jetë republikë e qytetarëve”.
Ai ka folur edhe për sistemin e drejtësisë, duke akuzuar ministrin Hajredin Kuçi, për manipulim me Këshillin Prokurorial si dhe Enver Hasanin për uzurpim të Gjykatës Kushtetuese.
Ymeri ka thënë se është në interes të Kosovës, që të zbatohet kërkesat e dala nga protesta.
Kurse kreu i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, ka thënë se ka shumë tema për të cilat duhet protestuar, e që po e rëndojnë jetën e qytetarëve.
Limaj ka bërë thirrje qytetarëve që mos të bien pre e provokimeve të atyre që kanë objektiva tjera jashtë asaj për çfarë është thirrur.
Me 18 prill të kemi një protestë sa më masive me pjesëmarrje të qytetarëve të Kosovës.
“Ftojmë të gjithë ata që janë të internuar për të ngritur zërin, sepse ka tema të ndryshme të cilat i shohim për ç’do ditë në Kosovë, të cilat po e rëndojnë jetën tonë”.
“Ftoj të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestë paqësore dhe të distancohen nga ç’do provokim i mundshëm të individëve të cilët kanë objektiva tjera jashtë asaj për të cilën ne i kemi ftuar”, ka thënë Limaj.