Haradinaj prezanton parametrat e përmirësimit të gjendjes

Deputeti Ramush Haradinaj ia ka listuar Qeverisë së Kosovës parametrat që ai mendon se duhet kjo Qeveri t’i ketë për bazë për të ndryshuar gjendjen në vend.

Lajme

02/04/2015 16:37

Para deputetëve dhe para kryeministrit Isa Mustafa, në interpelancën e 100 ditëshit të Qeverisë, Haradinaj tha se ç’kapja e shtetit, ndalimi i korrupsionit, kryerja e detyrave qeverisëse dhe partneriteti ekonomik janë parametra që ndryshojnë gjendjen.

“E para, për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë, nuk mund t’i ikim trajtimit të temës së kapjes së shtetit. Në rast se nuk e trajtojmë këtë temë dhe në çfarë mase mund ta ç’kapim shtetin, unë s’e di, por në rast se i ikni krejt kësaj teme, unë nuk shoh se drejtimi është i mirë”.

“E dyta, a mund ta ndalim korrupsionin ose ta zvogëlojmë ose që institucionet të punojnë që korrupsioni të mos e shkatërrojë Kosovën”.

“E treta është që të kryejmë punët e shtëpisë, detyrat qeverisëse, aq sa mbërrini dhe sa mundeni në aftësinë dhe diturinë e juaj”.

“Një aspekt tjetër është i rëndësishëm, se a mund të jemi partnerë të qëndrueshëm. Në fushën e sigurisë dhe atë politike besoj që ka përparime, por a mundemi që të jemi edhe partnerë ekonomik, pra që të sjellim investime në vend. Pastaj do të mund që ne të kalkulonim se sa do të rritet bruto produkti në 2018, sa vende pune i hapim deri atëherë, sa e zvogëlojmë papunësinë edhe a do të ndryshohet struktura e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës dhe vendeve të tjera dhe se a do të ndryshohet standardi i jetës së njerëzve tonë”, tha ai.

Haradinaj tha se nëse këto elemente nuk merren për bazë, atëherë Qeveria do të “fundosë veten dhe Kosovën”.

“Këta janë parametrat që ne duhet të përballemi sot dhe në të ardhmen. Sipas bindjes sime, në rast se nuk i trajtoni në këtë mënyrë gjendjen në vend, besoni, sa do që mendoni që ua kam inati e që s’ka dert, ju do ta fundosni edhe Kosovën, edhe neve, edhe këtë qeveri. Pra, nëse s’e kuptoni që ç’kapja e shtetit është parametri i parë, ndalja e korrupsionit është shumë i rëndësishëm, punët e shtëpisë, partneriteti i qëndrueshëm në sferën ekonomike, do të shkojmë gabim, keq. Kur do të takohemi tjera herë për ballafaqim për gjendjen do të jemi më keq se sot”, tha në fund të fjalës së tij, Ramush Haradinaj. (lajmi.net)