Haradinaj në Zërin e Amerikës: Pas 9 shkurtit do të kemi një qeveri të opozitës, shpresoj ta udhëheq unë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ndodhet këto ditë në Uashington, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndalet tek zhvillimet në Kosovë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, si dhe tek ndikimi që do të ketë politika e administratës së re amerikane për zhvillimet…
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ndodhet këto ditë në Uashington, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndalet tek zhvillimet në Kosovë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, si dhe tek ndikimi që do të ketë politika e administratës së re amerikane për zhvillimet në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Ndërsa afrohen zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, fushatat e partive politike po intensifikohen. Për të folur për këtë temë, por dhe të tjera, kemi të ftuar sot në studio Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Kryeministrin, zotin Ramush Haradinaj. Mirësevini, zoti Haradinaj.
Ramush Haradinaj: Mirë se ju gjej. Faleminderit.
Zëri i Amerikës: Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit është si të thuash në vrullin e saj, në pikun e saj. Dhe këto zgjedhje vijnë në një periudhë të rëndësishme ndryshimesh gjeopolitike, por të rëndësishme edhe për Kosovën. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje?
Ramush Haradinaj: E shoh se ka një ndryshim të bindjes, ose të drejtimit të votuesve. Edhe koalicioni që unë udhëheq, edhe partitë opozitare besoj do të kenë një rritje të shumicës. Pra pritet ndryshim qeverie në Kosovë pas 9 shkurtit. Një qeveri e opozitës, që shpresoj ta udhëheq unë.
Zëri i Amerikës: Gjatë kësaj fushate është vënë re edhe një ashpërsim i retorikës nga partitë politike dhe tashmë edhe partia juaj është gjobitur nga paneli zgjedhor për shkak të kësaj gjuhe. Ka nga ata kritikë që mund të thonë që ashpërsimi i retorikës përdoret si një alternativë ndaj ofertave konkrete për votuesit. Cili është reagimi juaj?
Ramush Haradinaj: Zakonisht ashtu është. Pra, mungesa e opsioneve e bën këtë. Ne jemi përballë me një qeveri që ka qenë jo e kujdesshme dhe e respektueshme ndaj shumë vlerave, proceseve në vend. Kuptohet që me akumulimin katërvjeçar të këtyre irritimeve, pakënaqësive me mënyrën e qeverisjes së vendit, të shprehura nga opozita, është e habitshme që ta bëjë këtë edhe kryetari i qeverisë. Pra nuk ka logjikë që të bërtasë edhe kryeministri, që në këtë rast ka qeverisur mbi katër vite dhe ka bërë pesë buxhete. Me logjikën e zgjedhjeve, një kryetar qeverie tregon punën që ka bërë dhe punën që do të bëjë. Pra, në këtë rast opozita mund të thotë që është në nivelin e saj, të kryerjes së detyrës së ballafaqimit me keq-qeverisjen, me dështimet e qeverisë Kurti.
Zëri i Amerikës: Por konkretisht, cila është oferta e partisë tuaj, e forcës tuaj politike, që do të ishte më e mirë përballë asaj që ofron qeveria aktuale?
Ramush Haradinaj: Unë kam punuar gjatë. U bënë gjashtë vite që punoj për planin për anëtarësim në NATO. Pra, duam sigurinë e plotë, të përhershme, apo të përjetshme, dhe mendojmë se vetëm kështu i zgjidhim të gjithë problemet e brendshme dhe rajonale. Dhe pika e parë e imja është anëtarësimi në NATO. Prandaj gjendem edhe në Uashington dhe mund të them që po ecën tema, po përparon mirë. Kam patur rastin për të takuar shumë autoritete, përfshirë edhe të administratës së re që filloi. Po vij drejt nga Pentagoni realisht, ku isha përpara se të vija këtu. Siguria për ne është shumë me rëndësi. Pastaj është siguria energjetike. Ne blejmë energji në kohë krize, me çmime të larta. Duhet të prodhojmë. Në Kosovë e kishim gazsjellësin amerikan. Dëshirojmë ta rikthejmë sigurinë energjetike dhe në prodhim. Po kërkojmë që ta rikthejmë gazsjellësin. Sigurinë ekonomike dëshirojmë, së bashku me investitorët e brendshëm, që ta mbështesim vetë, por edhe që të sjellim investime dhe fonde. Për të mos qenë të dënuar, sikurse jemi sot. Kuptohet kujdesi ndaj vlerave, kujdesi ndaj arsimit, mësimdhënësve, sistemit shëndetësor, mjekëve. Por edhe kategorive të rinisë, edhe pensionistëve. Kemi dhënë realisht një ofertë të sqaruar edhe me parametra buxhetore. Duke qenë se kam qenë kryetar qeverie, e di se zgjidhja ka një kosto. Pra, kemi qenë të saktë. Besojmë shumë se po shkon mirë. Pra, unë jam i kënaqur me rrjedhën që po shkojnë proceset e fushatës në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, ju jeni në Uashington ku morët pjesë edhe në inaugurimin e Presidentit të ri Donald Trump. Çfarë lloj angazhimi prisni nga administrata e re në lidhje me Kosovën?
Ramush Haradinaj: Së pari, ne duhet ta kuptojmë se është ndryshim i madh. Pra një dinamikë ndryshe. Koncept tjetër i ecjes përpara. Dhe nuk guxojmë pra të humbasim kohë. Besoj shumë se do të ishte lajm i keq, ky është mendimi im, nëse nuk do ta ndërronim qeverinë Kurti, për shkak se kjo qeveri dështoi të bashkëpunojë me administratën Biden. Por, nuk do të kemi më tolerancë në asnjë lëvizje përpara nëse nuk e ndryshojmë qeverinë dhe nëse nuk i rikthehemi marrëdhënieve bilaterale, kontraktuale me administratën Trump. Unë mendoj që edhe në këtë vizitë, kemi ruajtur një vazhdimësi. Kur unë krijova ushtrinë në 2018, ka qenë administrata Trump, pra për ligjet e ushtrisë dhe vetë ushtrinë. E kemi ruajtur një vazhdimësi, por nuk na toleron askush se si i kryejmë punët e shtëpisë. Unë mendoj që punët e shtëpisë fillojnë me ndryshimin e qeverisë. Pra më 9 shkurt. Besoj që do ta shtojmë hapin, ritmin. Mirëpo nuk është njësoj. Është shumë situatë e ndryshme. Ka shumë zhvillime globale. Ka një qasje të re të vetë Presidentit Trump, administratës së tij, ndaj gjithë këtyre proceseve. Ne nuk duhet të përfshihemi në këto planet e reja për riorganizim të proceseve të sigurisë amerikane. Pra, trupat amerikane duhet të vazhdojnë të jenë në Kosovë. KFOR duhet të vazhdojë të jetë në Kosovë, dhe vetëm kur të jemi anëtar i NATO-s dhe kur ta kemi arritur sigurinë e plotë atëherë kalojmë në plan dypalësh. I kemi ofruar Amerikës përjetësisht lokacione, për t’i shndërruar në jashtëterritoriale për përdorim ushtarak dhe civil, si Bondsteel-in, si Film City-in, pra aty ku është sot komanda e KFOR-it. Por, njëkohësisht jemi të hapur për aeroportin e Gjakovës, zona e biznesit në Gjakovë, parkun stërvitor në Babaj të Bokës.
Zëri i Amerikës: Desha t’i kthehesha përsëri pritshmërive tuaja nga këto zgjedhje. Ku e bazoni besimin tuaj që do të fitoni?
Ramush Haradinaj: Mendoj se plani ynë, hierarkia e planit tonë është serioze. Pra, elementi i parë është për siguri të përhershme, të plotë dhe të përhershme. Jo improvizime të sigurisë, për fitore të ditës, sa për të marrë merita atë ditë, por ne po e përmbyllim çështjen e sigurisë tonë të përjetshme me planin për anëtarësim direkt në NATO, nëpërmjet planit të veprimit. Këtë e kanë vlerësuar qytetarët. Plani ynë për siguri energjetike është serioz, i bazuar, i ka elementet konkrete. Plani për zhvillim ekonomik, rritjen ekonomike, po ashtu është shumë serioz. Po ashtu edhe kujdesi për pagat, për pensionet, për sektorët individualë është i vërtetuar. Vjen edhe nga përvoja ime në të kaluarën në qeverisje, e kolegëve të mi. Koalicioni që është rritur realisht, tashmë jemi disa subjekte politike bashkë. Pra, ekziston mundësia reale që edhe ne të jemi një nga fituesit e këtyre zgjedhjeve. Nuk po them i vetmi fitues, sepse janë edhe parti të tjera në garë. Edhe parti të tjera opozitare janë në një situatë shumë të mirë. Pra, ne do të jemi një nga fituesit e këtyre zgjedhjeve dhe unë besoj se do ta kemi shumicën e shqiptarëve për ta krijuar qeverinë pas 9 shkurtit.
Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje e fundit, ju lutem. Megjithëse dialogu Kosovë-Serbi është një nga çështjet më të rëndësishme, jo vetëm për vendin, por për rajonin, nuk duket se po zë vend shumë në debatin e zgjedhjeve. Si e shihni vazhdimësinë e këtij dialogu?
Ramush Haradinaj: Tani kemi një plan të ri, krejtësisht të ri. Pra, ne do t’i përmbushim detyrimet e dialogut. Siç e dini, dialogojmë me Serbinë për mbi 20 vite dhe ka shumë marrëveshje, shumë kontrata. Pra tani së fundmi, plani franko-gjerman, marrëveshja e Ohrit. Unë mendoj se, dhe plani im është, që t’i përmbushim detyrimet që na dolën prej dialogut, përfshirë asociacionin, duke e dërguar që javën e parë në Gjykatën Kushtetuese. Me Serbinë nuk do të vazhdojmë më të dialogojmë. Cilat është arsyeja? Gjithë kohën, gjatë gjithë këtyre 20 viteve, kemi identifikuar të gjitha çështjet, pra bashkësia ndërkombëtare, ne, Amerika, BE-ja. Dhe të gjitha ato çështje i kemi trajtuar dhe ekzistojnë në kontrata. Ne tani duhet të kalojmë në planin dypalësh. Pra, ta ngrejmë nivelin e marrëdhënieve me Serbinë, në nivelin dypalësh, si vend jo-njohës. Ne kemi marrëdhënie edhe me vende të tjera jo-njohëse, me Greqinë punojmë, me Rumaninë, Sllovakinë. Së pari do të vazhdojmë të punojmë me to, pasi janë edhe vende anëtare të NATO-s. Njëkohësisht edhe do të vazhdojmë të punojmë edhe me Serbinë. Në planin dypalësh kuptohet që Serbia vazhdon dhe mban një pozicion armiqësor dhe është si të thuash, një dorë e zgjatur e Rusisë – ashtu vlerësohet. Nëse ata ndërmarrin veprime ndryshe, atëherë secili do t’i mirëpresë dhe mbështesë. Pra, ne do të kalojmë në çështje dypalëshe. Pra, nuk është më dialogu ai që ishte. Pra nuk nënkupton që ne tashmë nuk do të bashkëpunojmë më, nuk do të komunikojmë, nuk do të kemi takime. Por jo si dialog për të zgjidhur çështje problematike në Kosovë, sepse të gjitha ato ekzistojnë në kontratë dhe ne do t’i kryejmë punët tona, pavarësisht dhe pa u ndikuar prej tyre, por vetëm me Amerikën dhe BE-në, që të mundemi ta fitojmë të drejtën e anëtarësimit të shpejtë në NATO