Haradinaj: Kosova në krizë të rëndë institucionale, nevojitet bashkim për t’i dhënë fund bllokadës
Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për situatën politike në vend, duke thënë se Kosova ndodhet në një gjendje të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë. Në një reagim publik, Haradinaj ka theksuar se vendi po përballet me një bllokadë institucionale, duke përmendur afatin e tejkaluar kushtetues për zgjedhjen e…
Lajme
Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për situatën politike në vend, duke thënë se Kosova ndodhet në një gjendje të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë.
Në një reagim publik, Haradinaj ka theksuar se vendi po përballet me një bllokadë institucionale, duke përmendur afatin e tejkaluar kushtetues për zgjedhjen e presidentit dhe pezullimin e punës së Parlamentit, transmeton lajmi.net.
“Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë. Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional”, ka shkruar ai.
Sipas Haradinajt, kjo situatë është krijuar për shkak se, siç thotë ai, aktorët politikë nuk kanë arritur të tejkalojnë interesat personale dhe partiake për të gjetur zgjidhje për vendin.
“Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake”, ka theksuar ai.
Haradinaj ka bërë thirrje për bashkim politik dhe shoqëror për të rikthyer normalitetin institucional dhe për ta orientuar vendin drejt zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike.
“Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër… që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se Kosova duhet të ecë përpara drejt zhvillimit ekonomik, forcimit të institucioneve dhe përmirësimit të sistemeve të arsimit dhe shëndetësisë, në mënyrë që qytetarët të jetojnë me dinjitet dhe të mos detyrohen të largohen nga vendi.
Postimi i plotë: