Haradinaj dorëzon kërkesën në Kuvend për një ceremoni përkujtimore dhe çmim vjetor në nder të Eliot Engel

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës një kërkesë për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel. Sipas Haradinajt, kjo iniciativë synon të shprehë mirënjohjen institucionale për kontributin e Engel në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe…

Lajme

17/04/2026 09:41

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës një kërkesë për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel.

Sipas Haradinajt, kjo iniciativë synon të shprehë mirënjohjen institucionale për kontributin e Engel në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga zërat më të fuqishëm në momentet kyçe të historisë së vendit, transmeton lajmi.net.

Propozimi përfshin mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore në Kuvend, si dhe krijimin e një çmimi vjetor me emrin “Eliot Engel” dhe vendosjen e një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të institucionit.

Haradinaj ka theksuar se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar, duke e konsideruar këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës historike dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Postimi i plotë: 
Sot dorëzova zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Republikës së Kosovës për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel.
Përmes kësaj iniciative, si Kuvend do të shprehim mirënjohjen tonë institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Eliot Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në momentet më vendimtare të historisë sonë, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në përkrahje të kauzës sonë të drejtë.
Propozimi përfshin mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore, si dhe krijimin e një çmimi vjetor “Eliot Engel” dhe një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të Kuvendit.
Besoj fuqishëm se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për të ruajtur kujtesën historike dhe për të forcuar aleancën tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./lajmi.net/