Haradinaj akuzon Kurtin për mashtrim të diasporës

Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij ndaj diasporës shqiptare. Në një postim në Facebook, ish-kryeministri akuzoi Kurtin për gënjeshtra dhe mashtrime ndaj mërgatës shqiptare në prag të zgjedhjeve. “Diaspora shqiptare është pjesë e atdheut dhe kontributi i saj për liri e për…

Lajme

13/10/2024 22:00

Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij ndaj diasporës shqiptare.

Në një postim në Facebook, ish-kryeministri akuzoi Kurtin për gënjeshtra dhe mashtrime ndaj mërgatës shqiptare në prag të zgjedhjeve.

“Diaspora shqiptare është pjesë e atdheut dhe kontributi i saj për liri e për shtet ka qenë thelbësor. Por mërgata shqiptare nuk meriton të gënjehet e të mashtrohet kaq paturpësisht sa herë që afrohen zgjedhjet,” shkroi Haradinaj. Ai shtoi se Kurti duhet t’u tregojë të vërtetën bashkëkombësve për gjendjen aktuale në Kosovë.
Lideri opozitar përmendi disa çështje që, sipas tij, Kurti nuk i ka adresuar me diasporën. Këto përfshijnë pretendimet për vjedhje të rezervave ushqimore të ushtrisë, përjashtimin e luftëtarëve të lirisë nga pagat, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, dhe statistikat e diskutueshme për rritjen ekonomike. “Pse Kryeministri nuk i tha diasporës se ajo për 4 vjet është rritur në numër për 200 mijë njerëz që e kanë braktisur Kosovën?” pyeti Haradinaj, duke shtuar se respekti për diasporën nënkupton t’i thuhet asaj e vërteta.
POSTIMI I PLOTË:
TA GËNJESH DIASPORËN, DO TË THOTË TA MOHOSH ATË
Diaspora shqiptare është pjesë e atdheut dhe kontributi i saj për liri e për shtet ka qenë thelbësor. Këtë duhet ta thotë gjithkush dhe në çdo rast. Por mërgata shqiptare nuk meriton të gënjehet e të mashtrohet kaq paturpësisht sa herë që afrohen zgjedhjet.
Albin Kurti, që nuk mbahet mend ta ketë vizituar diasporën ndonjëherë, të paktën deri tash që janë afruar zgjedhjet, do të duhej ta thoshte të vërtetën e plotë për Kosovën. T’u thoshte bashkëkombësve tanë se ai dhe qeveria e tij e kanë lënë pa bukë Ushtrinë e Kosovës; sepse i kanë vjedhur rezervat ushqimore, miell e vaj, që vendit i duhen në kohë krize.
Të ju sqaronte bashkombasve se së bashku me Listën Serbe i kanë përjashtuar luftëtarët e lirisë nga pagat që i meritojnë.
Diasporës duhet t’i tregohet e vërteta se Albin Kurti dhe qeveria e tij janë fajtorë pse Kosova nuk është në proces të anëtarësimit në NATO, se Kosova është përjashtuar nga “Defender”, se është nën sanksione të BE-së.
Të paktën do të duhej që t’u thuhej se informata e qeverisë për rritje ekonomike prej 33 për qind është gënjeshtër, sepse e vërteta është dhjetë herë më pak. Ose t’u tregohej se pagat në Kosovë gjatë qeverisjes së tij janë rritur vetëm për 6.8 euro.
Pse Kryeministri nuk i tha diasporës se ajo për 4 vjet është rritur në numër për 200 mijë njerëz që e kanë braktisur Kosovën, por u mundua t’i mashtrojë me fjalinë “JU E KENI GJETUR Atdheun”! Si mund ta gjejë njeriu atdheun e tij, derisa e braktis atë nga halli?
Janë edhe 1001 të vërteta të tjera të dhimbshme që Albin Kurti nuk i kishte përmendur në takim me diasporën, por sot bota është zvogëluar dhe njerëzit po shohin e po dinë.
Kushdo që e respekton, e nderon dhe e konsideron diasporën si pjesë të atdheut, ai ia thotë asaj të vërtetën. Gënjeshtra apo gjysmë e vërteta janë mohim i saj!