Hapet për qarkullim një korsi në aksin Librazhd-Qafë Thanë
Pas rreth tetë orësh bllokimi, është hapur lëvizja me një korsi në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë të Shqipërisë, pjesë e Korridorit VIII, nyja kryesore lidhëse e juglindjes së vendit me Tiranën. Bllokimi u shkaktua nga shembja e një masivi të madh shkëmbor pranë fshatit Dragostunjë, çka la të bllokuar në rrugë mijëra qytetarë për disa…
Lajme
Pas rreth tetë orësh bllokimi, është hapur lëvizja me një korsi në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë të Shqipërisë, pjesë e Korridorit VIII, nyja kryesore lidhëse e juglindjes së vendit me Tiranën.
Bllokimi u shkaktua nga shembja e një masivi të madh shkëmbor pranë fshatit Dragostunjë, çka la të bllokuar në rrugë mijëra qytetarë për disa orë. Fatmirësisht, nga ky incident nuk u raportuan persona të lënduar.
Segmenti ku ndodhi rrëshqitja është aktualisht pjesë e punimeve për hapjen e gjurmës së re të Korridorit VIII, në kuadër të projektit të zgjerimit të rrugës.
Sipas ekspertëve të pavarur, ndërhyrjet e pastudiuara në shpatin e malit mund të kenë ndikuar në shembjen masive. Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mohuar që punimet të jenë shkaku i incidentit, duke ia atribuar situatën motit të keq dhe reshjeve, shkruan Oranews, transmeton KosovaPress.
Ekipet e ndërhyrjes punuan për orë të tëra në terren, duke kryer shembjen e kontrolluar të faqes së malit, me qëllim eliminimin e çdo rreziku të mëtejshëm për qarkullimin e mjeteve.
Gjatë kohës së bllokimit, gra, fëmijë dhe të moshuar u detyruan të qëndrojnë për orë të tëra në trafik, ndërsa policia rrugore rekomandoi përdorimin e aksit alternativ Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan për drejtuesit e mjeteve që udhëtonin drejt Tiranës.
Bllokimi i këtij aksi përkoi me ditën e diel, kur fluksi i lëvizjes është i shtuar për shkak të kthimit të qindra pushuesve nga juglindja e vendit, duke e rënduar edhe më tej situatën në qarkullim.