Hamza flet për bashkëpunimet pas zgjedhjeve: Vija të kuqe nuk kemi për askënd

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 7 qershorit partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se ai nuk vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik. Në Debat Plus, Hamza tha se ka…

Lajme

04/06/2026 22:22

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 7 qershorit partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë për formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se ai nuk vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik.

Në Debat Plus, Hamza tha se ka qenë vazhdimisht kundër politikës së vijave të kuqe, të cilën e konsideron të dëmshme për vendin dhe për funksionimin e demokracisë.

Ai theksoi se PDK-ja mbetet e hapur për bisedime me të gjitha partitë parlamentare pas zgjedhjeve, duke mos përjashtuar asnjë mundësi bashkëpunimi politik.

“Me të 8-tin paritë politike duhet me u ul. Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe. Edhe në këtë temë kam pas konsistencë dhe besoj i vetmi… vija të kuqe s’kam qit dhe tash s’kam vija të kuqe. Se konsideroj që janë treguar të dëmshme për vendin…

Çka ka këtu edhe një konstante. Deri tash veç PDK-ja s’ka qenë në qeverisje me LVV-në. Dhe i bie që ne nuk përjashtojmë mundësinë të bisedojmë më gjithë subjektin dhe spektrin politik. Çka unë besoj shumë partitë, se unë preferoj me qeverisë me LDK-në, AAK-në dhe deputetë tjera brenda Kuvendit. Për shkak edhe të afërsive programore, vizonit dhe koncepteve tona”, ka thënë Hamza.