“Hallakamë” pas ndeshjes në ‘Rexhep Rexhepi’, policia arrestoi ndihmës-trajnerin e Llapit

Hallakamë e madhe ka ndodhur në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ pas ndeshjes Feronikeli – Llapi, e fituar nga vendasit me rezultat 1:0.

Sport

27/10/2020 19:39

Sipas një komunikate të lëshuar nga skuadra e KF Llapit, thuhet se është përdorur dhunë në personin zyrtar të tyre nga Policia e Kosovës.

Komunikatën e plotë të KF Llapit e gjeni në pjesën e mëposhtme:

Komunikatë për media

Jo gjithçka shkoi në rregull pas përfundimit të ndeshjes Feronikeli – Llapi.
Ne nuk jemi të njoftuar për kompetencat e Policisë së Kosovës në ndeshjet zyrtare të Superligës, a janë ata për të na mbrojtur apo për të na sulmuar e arrestuar vetëm pse kërkojmë sqarim me fjalë për dëmtimet që po i bëhen KF Llapit.
Njësoj edhe sot, sikurse në turpin që bënë në ndeshjen Gjilani – Prishtina të edicionit të kaluar, Policia e Kosovës përdor dhunë mbi personin zyrtar, ndihmëstrajnerin e klubit, Burim Zhjeqi i cili arrestohet në mënyrë brutale nga e ashtuquajtura Njësi Speciale.
Krejt kjo ndodh kur në ndeshjet tona nuk ka profesionalizëm, sepse personat zyrtar të deleguar nga FFK-ja nuk janë të nivelit të Superligës, veçanërisht nga Delegati i ndeshjes ku në kushte pandemie nuk i largon tifozët nga tribuna, të pranishmit kalonin numrin e mbi 200 shikuesve. Ai merret me personat zyrtar, të cilët kanë drejtë të protestojnë me fjalë, e ai urdhëron Policinë duke iu thënë “lidhni”
Po shfaqim brengën tonë nëpërmjet kësaj video të bashkangjitur rreth asaj se çka ndodhi pas ndeshjes Feronikeli – Llapi në hapësirat e brendshme të stadiumit.
Pas më shumë se 3 orëve pritje, ndihmëstrajneri Burim Zhjeqi është liruar nga mbajtja në stacionin policor në Drenas.
Ai është i trishtuar me sjelljet e policisë mbi të, i cili ka pësuar trauma nga sjelljet brutale të Njësisë Speciale
Shërim të shpejtë Burim