Haliti: Unë e lirova Thaçin, kur e arrestuan në Shqipëri
Ish-shefi i SHIK-ut të Shqipërisë, Fatos Klosi, ka deklaruar se më 1997 ishte arrestuar Ministri aktual i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi. Xhavit Haliti thotë se ai kishte intervenuar për lirimin e Thaçit.
Lajme
Xhavit Haliti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për “Zërin” se Thaçi ishte i ndaluar në vitin 1997 nga Policia Shqiptare dhe që nuk ka qenë i arrestuar.
Sipas Halitit, ndalimi i Thaçit nuk kishte qëllime për ta goditur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndër të tjera Haliti thotë se për lirimin e tij kishte intervenuar vet ai.
“Kjo punë dihet botërisht, Hashim Thaçi ka qenë i ndaluar në vitin 1997. Në atë kohë kanë qenë turbullirat e famshme, si dalja e armëve. Thaçi është ndaluar nga policia shqiptare dhe jo arrestuar, arsyeja e ndalimit ka qenë bartja e armëve, dhe për këtë ndalim kam intervenuar unë për t’u liruar Thaçi”.
“Nuk mendoj se ka qenë ndonjë qëllim që të goditet UÇK-ja sepse ne kemi pasur segmentet e shtetit por secila polici e shtetit kur ndalon persona me armë e shoqëron në polici”, ka thënë Haliti.