Halil Thaçi përfundon intervistimin: Pronarja e këtij mediumi më ka thirrur tre muaj radhazi që të mos publikohet videoja, nuk shantazhohem

Kryetari i Obiliqit, njëkohësisht edhe zyrtar i VV-së, Halil Thaçi ka folur për media pas intervistimit që e pati në Prokurorinë Speciale. Thaçi në të kaluarën nën hetime lidhur me dyshimet për ushtrim ndikimi në procesin e shpronësimeve të planifikuara nga KEK-u në fshatin Shipitullë, transmeton lajmi.net. Sipas një audio-incizimi të publikuar nga Kallxo.com, ai…

Lajme

15/07/2026 11:34

Kryetari i Obiliqit, njëkohësisht edhe zyrtar i VV-së, Halil Thaçi ka folur për media pas intervistimit që e pati në Prokurorinë Speciale.

Thaçi në të kaluarën nën hetime lidhur me dyshimet për ushtrim ndikimi në procesin e shpronësimeve të planifikuara nga KEK-u në fshatin Shipitullë, transmeton lajmi.net.

Sipas një audio-incizimi të publikuar nga Kallxo.com, ai dëgjohet duke thënë se “Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare.”

Pas intervistimit sot, ai tha se është i kënaqur që Prokuroria po merret me këtë çështje.

“Jam i shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta qojë deri në fund këtë çështje. I kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato objekte. ”, tha ai.

Kryetari i Obiliqit tha se ka qenë në cilësinë e dëshmitarit.

“Si dëshmitarë më pyetën çdo gjë dhe unë për çka do që di, do të përgjigjem. Te Prokurori kam treguar që vetë Kallxo.com për tre muaj radhazi më ka thirrur në telefon, vetë pronarja e Kallxo.com ka kërkuar takim që të mos publikohet video dhe nuk kam ra pre e shantazheve të mediave dhe asnjëherë nuk do të shantazhohem”, tha ai ndër të tjera.

Një audio-incizim të cilin e publikoi portali Kallxo.com më 2024, dëshmoi sesi Thaçi, gjatë një komunikimi me disa banorë të fshatit Shipitullë, u tregoi atyre se ka diskutuar me Kryeshefin e KEK-ut dhe kryetarin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për ndryshimin e hartave të shpronësimeve.

Asokohe deputet, Thaçi nuk kishte mandat për ndërhyrje në këtë proces.

“Qaj 1 hektar e 60 ari që është hy me u shpronësu qaty, qaj ka me ra edhe ka me ju shpronësu krejt juve. Unë sot kesh me këtë drejtorin, zëvendësdrejtorin, të martën jam taku edhe me Bekirin. Na jemi t`u e prit KPMM-në që KPMM-ja me ja dhanë orientimin mihjes. KPMM-ja del në vend të ngjarjes, e konstaton që qata banorë janë në rrezik, ja prej zhurmës ja… Vijnë i këqyrin shpijat qysh janë ça e sene. KPMM-ja merr vendim që pa marrë parasysh a i duhet a s’i duhet mihjes duhet me i shpronësu”, dëgjohet duke thënë Thaçi në këtë audio-incizim.

“Në KPMM i kemi njerëzit tanë, i shtyna do sene, s’kanë qare”, deklaron Thaçi, sipas audio-incizimit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar në vitin 2024 se Thaçi ishte vënë nën hetime nga Njësia e Veçantë Anti-Korrupsion.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje”, kishte Prokuroria Speciale në një përgjigje me shkrim.

Vitin e kaluar, Halil Thaçi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, fitoi pas balotazhit garën për kryetar të Komunës së Obiliqit./lajmi.net/