Hajrizi i ashpër ndaj FBK-së: Më injoruan, u fye gjaku, djersa dhe sakrifica ime për Trepçën dhe Kosovën
Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, ka reaguar ashpër ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), duke e cilësuar injorimin ndaj tij si fyerje dhe mungesë respekti për sakrificën dhe kontributin e dhënë në parket. Përmes një postimi publik, Hajrizi ka thënë se fillimisht nuk kishte ndërmend të reagonte, por se e ka shtyrë modeli i…
Sport
Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, ka reaguar ashpër ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), duke e cilësuar injorimin ndaj tij si fyerje dhe mungesë respekti për sakrificën dhe kontributin e dhënë në parket.
Përmes një postimi publik, Hajrizi ka thënë se fillimisht nuk kishte ndërmend të reagonte, por se e ka shtyrë modeli i gabuar që, sipas tij, po i lihet basketbollit kosovar, raporton lajmi.net
Ai thekson se pa modesti, sezonin e kaluar ishte modeli më i mirë në Superligën e Kosovës.
Hajrizi ka rikujtuar edhe sakrificën personale gjatë sezonit, duke treguar se menjëherë pas daljes nga salla e operacionit, me fasha në kokë, ishte paraqitur në palestrën “Minatori”, për të qenë pranë ekipit të Trepçës.
Postimi i tij i plotë:
Dashamirë,
Injorimi që më bëri Federata e Basketbollit të Kosovës është më shumë se fyerje. Nuk shkruajta dhe nuk e kisha ne plan të shkruaja asgjë sepse tingëllonte si një lloj oportunizmi, por ajo që më nxiti të shkruaja është modeli që po e lëmë pas. Pa modesti, vitin e kaluar isha model i mirë, më i miri!
Nga salla e operacionit, e me fasha në kokë direkt shkova në Minatori. E dija që nuk mundem të futem menjëherë në lojë, por përçova shpirtin tim luftarak aty. Shpirtin, djersën dhe zemrën e dhurova për Trepçë kampion!
Kjo që bëri Federata e Basketbollit të Kosovës sot më fyu gjakun, djersën dhe rezultatet. Sido që të jetë ata e fyen veten! Unë nuk ndalem kurrë! Do të luftoj deri sa të shtjerrem i tëri për Kosovë, për Mitrovicën, për Trepçën!
Dardan Berisha është lojtar emblematik i Kosovës. Ai është ikonë e Kosovës dhe lojtari më i sukseshëm shqiptar në arenën ndëkombëtare. Vitin e kaluar unë isha më i miri në Superligën e Kosovës.
Ju faleminderit,
DH12/Lajmi.net/