Haddad: Franca do të punojë që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës

Ministri i Deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të Parisit për Kosovën, duke theksuar se Franca do të punojë që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës. Në konferencën për media pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haddad tha se…

Lajme

27/07/2026 10:33

Ministri i Deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të Parisit për Kosovën, duke theksuar se Franca do të punojë që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës.

Në konferencën për media pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haddad tha se vizita e tij në Prishtinë është dëshmi e miqësisë së kahershme mes dy vendeve dhe synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

“Kam kënaqësinë që jam sot në Prishtinë si mik personal i Kosovës dhe si përfaqësues i presidentit Emmanuel Macron. Përtej miqësisë sonë, marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës janë të kahershme. Mbështetja jonë ka qenë gjithmonë e qëndrueshme dhe unë e konsideroj veten mik të Kosovës prej shumë vitesh”, tha Haddad.

Ai theksoi se Franca është e gatshme të mbështesë Kosovën edhe financiarisht në fusha të ndryshme, me qëllim forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Jemi të gatshëm që ta përkrahim financiarisht Kosovën edhe në fusha të tjera”, u shpreh ministri francez.

Duke folur për proceset integruese të Kosovës, Haddad tha se gjatë takimeve me zyrtarët kosovarë është diskutuar edhe për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

“Do të punojmë së bashku që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në Këshillin e Evropës”, deklaroi Haddad.