“GUXO është parti satelit e VV-së” – Meta kritikon Gërvallën e Pecin: E kanë tradhtuar e shantazhuar Vjosa Osmanin
Deputeti Burim Meta ka kritikuar dy bashkëkryetarët e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, duke i akuzuar ata se kanë kthyer partinë në një “satelit” të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e humbur identitetin e saj të pavarur. Meta ka theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të interesave personale të dy liderëve, të cilët, sipas…
Lajme
Deputeti Burim Meta ka kritikuar dy bashkëkryetarët e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, duke i akuzuar ata se kanë kthyer partinë në një “satelit” të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e humbur identitetin e saj të pavarur.
Meta ka theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të interesave personale të dy liderëve, të cilët, sipas tij, kanë anashkaluar interesat e partisë dhe kanë ndjekur agjenda të tjera.
“Krijuam një mbledhje të Guxo dhe nga pikat e dobëta që kam pasur partia Guxo, konkretisht dy bashkëkryetarët, natyrisht ne vendosëm që nuk mund ta mbështesim një parti, e cila është satelit e pushtetit apo e një partie tjetër.
Natyrisht edhe kjo pamje e kësaj listë tregon më të vërtetë që është parti satelit (e Vetëvendosjes). E cila asnjëherë më nuk ka përçuar identitetin për të cilin ne fillimisht jemi marrë vesh edhe me statutin tonë. Në krijuam një organizatë të re politike në Kosovë, organizatë që pretendimin të jetë më e mira. Dhe që partia jonë ka qenë joshëse dhe ka pasur shumë interesime më kohë e më kohë që të inkuadrohen e të vijnë tek ne.
Por është mbyllur dhe nuk është pranuar nga bashkëkryetarët. Të cilët ndjenin vetëm interesat e tyre personale, duke korruptuar interesat e partisë”, ka thënë Meta në Debat Plus.
Meta ka thënë se Gërvalla dhe Peci e kanë tradhtuar edhe presidenten Vjosa Osmani.
“E kanë tradhtuar me dy këmbët e tyre… është shantazhuar duke folur fjalë për të, që është e panevojshme më për partinë Guxo”, ka shtuar Meta.
Meta i ka quajtur dy bashkëkryetarët e Guxo “neo-komunistë”.
Ky deklarim i Metës vjen pas vendimit të dy degëve të partisë “Guxo”, në Ferizaj dhe Pejë, që tërhiqen nga mbështetja për Gërvallën dhe Pecin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.