Gucati thotë se veteranët nuk do ta ‘ndëshkojnë’ Haradinajn: I vije keq për familjet e të vrarëve

Nasim Haradinaj i Organizatës së Veteranëve të Luftës ka nxitur reagime në opinionin publik, pasi mbrëmë gjatë një debati televiziv përderisa po diskutohej për vrasjet e pasluftës ai ka thënë ‘punë e madhe që janë vrarë anëtarët e LDK-së’.

Lajme

21/12/2017 13:18

Por deklaratën e tij po e mohon kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, pasi sipas tij, Haradinaj është keqkuptuar.

“Ne nuk mundemi me u distancu nga kjo deklaratë, sepse Haradinaj nuk e ka fyer askënd, ai ka thënë se më vjen keq për familjet e tyre, e jo tash LDK me shfrytezu rastin për përfitime dhe poena politik”, është shprehur Gucati për lajmi.net.

Ai ka shtuar se janë duke e analizuar këtë situatë por nuk beson se do të merret ndonjë masë ndëshkuese ndaj Haradinajt.

“Ne jemi duke e analizuar, por nuk besoj se do të merret ndonjë masë për arsye se Haradinaj vetëm është keqkuptuar. Ai nuk ka thënë se nuk duhet me i zbulu vrasësit e tyre. Ai vet është një njeri i vuajtjes, që ka vuajt për këtë vend, ai e vuan edhe gjendjen e tyre familjare, ne na vjen keq që pikërisht LDK po e shfrytëzon këtë rast. Organizata e Veteranëve është pro zbulimit të të gjitha rasteve”, ka përfunduar Gucati./Lajmi.net/