Grupi i Krizave: Ftohja e Kosovës me BE dhe SHBA për shkak të lëvizjeve të Kurtit për të centralizuar pushtetin dhe trajtimi i ashpër ndaj serbëve

Një prej organizatave kredibile “Crisis Group” ka publikuar një analizë për disa prej shteteve në të cilat duhet pasur vëmendjen, përfshirë këtu edhe Kosovën. Në pjesën e një analize të gjatë që i kushtohet Kosovës dhe zhvillimeve politike si të brendshme, ashtu edhe në raport me aleancat që ka Kosova, “Crisis Group” shkruan se “Kosova…

Lajme

16/10/2025 17:34

Një prej organizatave kredibile “Crisis Group” ka publikuar një analizë për disa prej shteteve në të cilat duhet pasur vëmendjen, përfshirë këtu edhe Kosovën. Në pjesën e një analize të gjatë që i kushtohet Kosovës dhe zhvillimeve politike si të brendshme, ashtu edhe në raport me aleancat që ka Kosova, “Crisis Group” shkruan se “Kosova po teston kufijtë e durimit të BE-së”.

Në këtë artikull, përmenden marrëdhëniet e acaruar të Kosovës me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke potencuar masat kufizuese që Brukseli ka vendosur ndaj Kosovës dhe për ndërprerjen e Dialogut të Planifikuar Strategjik nga SHBA për shkak të veprimeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

“Ky veprim ishte veçanërisht i habitshëm duke pasur parasysh se Uashingtoni historikisht ka qenë mbrojtësi më i madh i vendit, si politikisht ashtu edhe financiarisht”, thuhet në këtë publikim të “Crisis Group”.

Arsyet për këtë ftohtësi diplomatike në mes të BE-së dhe SHBA-së me Kosovën, siç shkruan “Crisis Group”, “janë lëvizjet e Kurtit për të centralizuar pushtetin dhe trajtimi i ashpër i qeverisë së tij ndaj serbëve etnikë që jetojnë në veri të vendit, të cilët kanë shpresuar prej kohësh për autonominë e premtuar në marrëveshjet e kaluara dhe, në rast se kjo dështon, bashkimin me Serbinë”.

Në këtë analizë të gjatë të kësaj organizate thuhet se “Shtypja ndaj serbëve të Kosovës ka penguar gjithashtu bisedimet e vazhdueshme dypalëshe midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilat nuk i kanë normalizuar kurrë marrëdhëniet dhe as nuk i kanë zbatuar plotësisht marrëveshjet e arritura përmes negociatave të tyre. Serbia, nga ana e saj, refuzon ta njohë Kosovën si vend të pavarur dhe lobon te shtetet e tjera që ta refuzojnë ose ta tërheqin njohjen e tyre”, thuhet ndër të tjera në këtë raport të “Crisis Group”.

Sipas “Crisis Group”, për Kurtin dhe partinë e tij Lëvizja Vetëvendosje “nacionalizmi populist, përfshirë edhe shtypjen e serbëve shërben si bazë për planet për të rindërtuar shtetin e Kosovës duke dobësuar kontrollet dhe balancat dhe duke dobësuar mbrojtjet kushtetuese”.

“Që nga ardhja në pushtet në vitin 2021, qeveria Kurti ka bërë një sërë lëvizjesh për ta vënë nën kontrollin e saj edhe më tej veriun me shumicë serbe, duke përfshirë edhe vendosjen e forcave të specializuara policore. Serbët kanë rezistuar, ndonjëherë me dhunë dhe me mbështetje të fshehtë nga Beogradi, duke kulmuar me  përplasje midis serbëve dhe NATO-s në maj 2023 dhe një përpjekje të dështuar për të  futur kontrabandë armë të rënda në shtator të atij viti. Që atëherë, qeveria e Kosovës ka mbajtur kontroll të fortë mbi këtë zonë. Por kjo qasje mund të jetë paralajmëruese e izolimit të zgjatur ndërkombëtar për Kosovën, një rezultat që BE-ja është përpjekur ta shmangë që kur filloi të ndërmjetësojë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2010”, thuhet në këtë shkrim.

Ndonëse sipas “Crisis Group”, BE-ja nuk është në pozicion për të ndryshuar kursin politik të Kosovës, atëherë mund të ndihmojë në zbutjen e rreziqeve.

Për ta bërë këtë, propozohet që BE-ja:

-Të përqendrojë dialogun e vazhdueshëm të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë në çështje praktike që u ofrojnë përfitime të prekshme qytetarëve në të dyja anët. Këto përfshijnë gjetjen e mënyrave për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e mëparshme – veçanërisht për menaxhimin e kufijve dhe njohjen reciproke të diplomave – të cilat mbeten vetëm pjesërisht të përmbushura. Dialogu duhet gjithashtu të shqyrtojë mundësinë e lejimit të Serbisë për të ofruar shërbime arsimore dhe të kujdesit shëndetësor për serbët që jetojnë në territorin e Kosovës dhe për të bërë të njëjtën gjë për shqiptarët që jetojnë në Serbi;

-Të dyfishojë përpjekjet për të shfrytëzuar joshjet e BE-së, veçanërisht perspektivën e anëtarësimit, për të ushtruar presion mbi Prishtinën për të mbrojtur pakicën serbe të Kosovës dhe për të siguruar autonominë lokale, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe;

-Të bëjë ndihmën financiare dhe mbështetjen diplomatike për Kosovën të varur nga hapat konkretë për të forcuar institucionet dhe për të ndërtuar kapacitetin shtetëror. Autonomia e vazhdueshme e komunave dhe institucioneve jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë, por që përballen me presion në rritje, siç janë gjyqësori, transmetuesi shtetëror dhe agjencitë e pavarura, duhet të jenë përparësi.