“Grupet e armatosura joformale janë një element rreziku”, ministri Maqedonci tregon nëse Serbia po përgatit sulm në veri

Lidhur me mundësinë e rrezikut të një sulmi të ri nga Serbia, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se shqetësimi nuk është vetëm për aspektin operativ dhe taktik të forcave të armatosura serbe, por edhe për politikën agresive dhe hegjemoniste të strukturave politike në Serbi. Maqedonci ka thënë se politika agresive dhe tentativa për…

Lajme

27/03/2024 22:27

Lidhur me mundësinë e rrezikut të një sulmi të ri nga Serbia, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se shqetësimi nuk është vetëm për aspektin operativ dhe taktik të forcave të armatosura serbe, por edhe për politikën agresive dhe hegjemoniste të strukturave politike në Serbi.

Maqedonci ka thënë se politika agresive dhe tentativa për hegjemoni regjionale e Serbisë është kryesorja në rritjen e tensioneve në rajon.

“Normalisht shqetësimi gjithmonë është prezent dhe shqetësimi nuk lidhet vetëm me aspektin operacional dhe taktik që zhvillojnë forcat e armatosura të Serbisë përgjatë vijës kufitare dhe as vetëm me grupet e armatosura dhe të uniformuara të sponsorizuara dhe të mbështetura nga strukturat e sigurisë së Serbisë”, ka thënë ai, në Debat Plus të RTV Dukagjinit.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se grupet e armatosura joformale, të mbështetura nga strukturat e sigurisë së Serbisë, janë një element rreziku.

Maqedonci ka shtuar se ndëshkimi i tyre është i domosdoshëm për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm të rajonit.

“Pikë së pari bazamenti i gjithë problemit qëndron tek politika agresive dhe hegjemoniste që strukturat shtetërore politike në Serbi shfaqin në raport me Kosovës, por edhe me fqinj të tjerë. Pra bazamenti është aspekti politik, hegjemonia, tentativa për hegjemoni regjionale e Serbisë që mbështet dhe pasohet me veprime të ndryshme. Në këtë rast edhe me veprime të grupeve të armatosura joformale të cilat tentojnë destabilizim dhe rritje të synimeve politike shtetërore të Serbisë. Këto grupe paraqesin rrezik pasi nuk janë ndëshkuar nga Serbia, vazhdojnë të qarkullojnë brenda territorit të Serbisë, gjithmonë me iniciativë për t’u infiltruar prapë në territorin e vendit tonë”, ka deklaruar ministri Maqedonci.

Në veçanti, ministri Maqedonci ka theksuar se përderisa drejtuesi i këtyre grupeve terroriste, Milan Radoiçiq, është ende në liri, kjo e bën situatën edhe më të rrezikshme.

“Këto grupe kanë një hierarki, kanë prijësin e tyre, Milan Radoiçiq që akoma gjendet i lirë. Ne besojmë që këto grupe janë të rrezikshëm përderisa nuk ndëshkohen dhe përderisa janë të lirë të qarkullojnë dhe të veprojnë  në Serbi”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka folur në lidhje me videon e publikuar nga kryeministri, ku shiheshin njësi të specializuara të ushtrisë serbe vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën.

Maqedonci u shpreh se, futja e armatimit është rrezik që gjithmonë ka ekzistuar dhe është e mundshme.

“Pavarësisht që ka rritje të numrit të ushtarëve të KFOR-it, ka prezencë më të shtuar të policisë, ky rrezik normalisht që ekziston, ne edhe të kaluarën gjatë luftës së Kosovës, kemi arritur të fusim shumë armatim nga Shqipëria pavarësisht që ka qenë pothuajse i blinduar kufiri me Republikën e Shqipërisë, kjo është e mundshme”, tha Maqedonci.

Sipas tij, tanimë dihet edhe qëllimi dhe shumica e akterëve janë të publikuar dhe kjo e bënë më të lehtë menaxhimin  e situatave.

Për çfarëdo që mund të ndodhë në të ardhmen, ai u shpreh se shteti ynë është i gatshëm që ta mbrojë territorin e vet.

“Ne gjithmonë vlerësojmë që vendi ynë do të përgatitet per çdo sulm eventual, ne nuk friksohemi përderisa ne jemi në vendin tonë ne çdo veprim që bëjmë e bëjmë për të mbrojtur teritorin dhe sovranitetin e vendit tonë,” u shpreh Maqedonci.

Ndërkaq, Ministri shtoi se jemi në bashkëpunim të plotë me strukturat ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, e e gjithë kjo na bën që të kemi një moral më të lartë se ata që tentojnë të cënojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit territorial të vendit tonë.

“Ne kemi arritur që të mposhtim trupat serbe në Kosovë, shumë herë gjatë luftës çlirimtare, pavarësisht që i kemi pasur fishekët e numëruar, kurse tash kemi një situatë ndryshe, kemi struktura të profesionalizuara te policisë se Kosovës dhe Ushtrisë, sisteme të ndryshme të armatimit dhe gatishmëria është shumë herë më e lartë”, tha Ministri.