Greqisë s’i shkoqet kriza financiare, ndihma është “tmerrësisht urgjente”

Ministri i Financave i Greqisë ka deklaruar se situata financiare e vendit të tij është “tmerrësisht urgjente” dhe se kriza mund të vijë brenda dy javësh. Por homologu i tij gjerman e ka sugjeruar të vazhdojë me kthimin e borxhit dhe reformat shtrënguese, ose të lërë Eurozonën

Bota

12/05/2015 09:31

Ministri grek, Yanis Varoufakis, i ka bërë këto komente pasi ministrat e Financave të Eurozonës janë takuar në Bruksel për të diskutuar këstin final për Greqinë, prej 7.2 miliardë eurosh, nga paketa e ndihmës e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ministrat e financave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë thënë se Greqia ka bërë “përparim” në reforma, porse duhet më shumë punë.

Greqia ka kohë deri në qershor për të përmbushur marrëveshjen e reformave me kreditorët ndërkombëtarë, mirëpo siç njofton BBC, financat e saj kanë nisur të bien aq shumë, saqë i duhet t’iu kërkojë ndihmë organeve publike.

Eurozona këmbëngul në reforma të ashpra, përfshirë shkurtimin e pensioneve, në këmbim të ndihmës financiare, por qeveria majtiste e kryeministrit Alexis Tsipras, i kundërshton ato.

Kriza ka rritur mundësitë që Greqia të mos arrijë të paguajë borxhet dhe të largohet nga Eurozona, pasi sipas qeveritarëve grekë, shkurtimi i pagave, sidomos i pensioneve, do të mund ta sjellin vendin e tyre përpara trazirave të mëdha popullore.

Qeveria e drejtuar nga Syriza ka bërë të ditur se nuk do të thyejë premtimet e saj para zgjedhore për reforma anti-shtrënguese, dhe se ka ngritur mundësinë e një referendum për çdo marrëveshje të rënë dakord në Bruksel.

Ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaueble, e ka mbështetur këtë ide, duke thënë se “ndoshta ky do të jetë vendimi më i drejtë për të lënë popullin grek të vendosë vetë nëse ai është i gatshëm të pranojë atë që është e nevojshme”. /lajmi.net./

Yanis Varoufakis
Yanis Varoufakis