Grabitja e 8 mijë eurove në Gjakovë, arrestohet i dyshuari pas disa ditësh në arrati
Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për grabitjen e rreth 8 mijë eurove, pasi dyshohet se i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës kishte marrë paratë nga një objekt afarist në rrugën “Anton Çeta”. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit me inicialet Ç.Zh. ka nisur hetimet, ndërsa…
Lajme
Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për grabitjen e rreth 8 mijë eurove, pasi dyshohet se i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës kishte marrë paratë nga një objekt afarist në rrugën “Anton Çeta”.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit me inicialet Ç.Zh. ka nisur hetimet, ndërsa në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e një muaji paraburgim.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në objektin e një biznesi të identifikuar si “R.M.T.”.
I dyshuari, sipas Prokurorisë, dyshohet se e kishte kërcënuar punonjësen me thikë dhe më pas kishte marrë rreth 8 mijë euro nga dollapi ku mbaheshin paratë.
Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri kishte qenë në arrati, ndërsa është arrestuar më 15 tetor 2026.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa tashmë ndaj tij është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit për 30 ditë.
I pandehuri dyshohet për kryerjen e veprës penale “Grabitja”, nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/