Goditet edhe Arabia, dhjetëra të vrarë e të plagosur në një xhami
Një shpërthim vetëvrasës në një xhami shiite në Arabinë Sauditë ka lënë të vrarë të paktën dhjetë persona, ndërsa mbi 70 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike.

Bota
Shpërthimi vetëvrasës është kryer në drekë, në qytetin lindor saudit Qatif, në xhaminë e “Imam Ali”, në kohën kur brenda dhe jashtë saj po faleshin disa qindra besimtarë myslimanë.
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e kryer, i cili është i pari deri tani i këtij lloji në Arabinë Saudite, në kohën e rritjes së tensioneve në mes të sunitëve dhe shiitëve në Lindjen e Mesme, shkruan BBC, raporton lajmi.net.
Pas shpërthimit, dëshmitarët panë të vdekur, persona me tesha të gjakosura, xhama të thyer dhe shtylla të rrëzuara të xhamisë që u la në gjak, njëjtë sikur ditë më parë në Pakistan, kur talibanët morën përsipër sulmet në dy raste të ngjashme, e ku mbetën të vdekur mbi 140 myslimanë shiitë.
Pakica myslimane shiite jeton kryesisht në provincën lindore të Arabisë Saudite, dhe ka patur protesta sporadike prej tyre për të drejta më të mëdha në shtetin e sunduar nga sunitët.
Sulmi i së premtes vjen në një kohë kur sauditët po udhëheqin një koalicion të vendeve arabe në një fushatë ajrore kundër kryengritësve shiitë në Jemenin fqinj.
Arabia Saudite ka qenë gjithashtu i kërcënuar nga militantët sunitë të “Shteti Islamik”, të cilët fajësojnë mbretërinë suite të Arabisë Saudite për aleancë me Shtetet e Bashkuara.
Më shumë se 2000 sauditët besohet se i janë bashkuar “Shtetit Islamik”, derisa qindra të tjerë që janë kthyer në shtëpi, janë arrestuar për pjesëmarrje në luftën e Irakut dhe Sirisë. /lajmi.net/