Gjyqësori i Kosovës jashtë procesit të Tribunalit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk di asgjë për mënyrën se si do të funksionojë Tribunali. Enver Peci nga KGJK, thotë se për këtë mund të pyetët Qeveria, pasi ata janë duke biseduar për këtë proces.

Lajme

09/04/2014 15:55

Draft dokumenti për Gjykatën Speciale e cila do të merret me krimet serioze që pretendohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës 1998-2000, pritet që shumë shpejtë t’i servohet deputetëve për miratim në Kuvend.

Përveç kësaj, Kosovës pritet t’i kërkohet që të bëjë ndryshime në Ligjin për gjykatat dhe ndërhyrjen në amendamentet Kushtetuese nëse është e domosdoshme, në mënyrë që kjo gjykatë të futet nën autoritetin juridik të vendit.

Megjithatë, njëra nga komponentët më të rëndësishëm të drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nuk është në dijeni për mënyrën e funksionimit Gjykatës Speciale.

Kryetari i këtij institucioni, Enver Peci, në një prononcim për lajmi.net thotë se nuk janë të informuar për këtë proces.

“Mund ta pyesni Qeverinë ata janë duke biseduar për këtë proces. Të them të vërtetën, ne nuk dimë asgjë për këtë proces, as prokuroria e as gjyqësia”, ka thënë Peci për lajmi.net.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se krijimi i Tribunalit do të jetë i pashmangshëm.

Sipas tij, kjo Gjykatë do të funksionojë në kuadër të sistemit drejtësisë në Kosovë me gjykatës ndërkombëtar, ndërsa dëgjimi i dëshmitarëve do të bëhet jashtë vendit.

Edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacoboson, ka thënë se themelimii i Tribunalit, është shenjë pjekurie për Kosovën.

Ajo ka theksuar se Kosova duhet të tregojë se është e gatshme për t’u marrë me akuzat që i kanë qëndruar për një kohë të gjatë mbi kokë.