Maliqi: Nuk ka prova që Kurti është “njeri i Serbisë”, por qëndrimet e tij ngjallin dyshime

Analisti Shkëlzen Maliqi ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te roli dhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti në raport me dialogun dhe situatën politike. Ai thekson se nuk mund të thuhet se Kurti është “njeri i Serbisë”, pasi për një pretendim të tillë nevojiten prova të forta. Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë elemente…

Lajme

30/04/2026 17:15

Analisti Shkëlzen Maliqi ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te roli dhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti në raport me dialogun dhe situatën politike.

Ai thekson se nuk mund të thuhet se Kurti është “njeri i Serbisë”, pasi për një pretendim të tillë nevojiten prova të forta. Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë elemente që ngrenë dyshime, duke përmendur përputhjen e qëndrimeve të Kurtit ndër vite me liderë serbë si Vojislav Koštunica dhe Aleksandar Vučić, veçanërisht në raport me kundërshtimin e Planit të Ahtisaarit dhe qasjen ndaj dialogut.

“S’mund të them se Kurti është njeri i Serbisë, sepse për këtë duhet të kihen provat e forta. Por ka diçka pse qëndrimet e tija ndër vite janë gati gjithnjë të përputhshme me ato të liderëve serbë, me Vojislav Koštunica – kundër planit të Ahtisarit, me Aleksandar Vučić – rreth opstrukcionit të dialogut dhe blerjes së kohës, ku duket se njëri tjetrit po i ndihmojnë…”, shprehet ai.

Maliqi vlerëson se këto qëndrime karakterizohen nga jofleksibiliteti, kundërshtimi i kompromiseve dhe prirja për të prodhuar kriza të vazhdueshme politike, duke i parë ato si mekanizma për ruajtjen e pushtetit. Sipas tij, kjo krijon perceptimin e një lloj koordinimi të heshtur që ndikon negativisht në zhvillimin demokratik dhe progresin e vendit.

Shkrimi i plotë:

S’mund të them se Kurti është njeri i Serbisë, sepse për këtë duhet të kihen provat e forta. Por ka diçka pse qëndrimet e tija ndër vite janë gati gjithnjë të përputhshme me ato të liderëve serbë, me Koshtunicën – kundër planit të Ahtisarit, me Vuçiqin – rreth opstrukcionit të dialogut dhe blerjes së kohës, ku duket se njëri tjetrit po i ndihmojnë… Çështja është se, dhe kjo lehtë dëshmohet, se ata janë joflaksibil dhe kundër kompromiseve, shkelës të rregullave dhe kushtetutave për shkak të ambicjeve autokratike në sistemet respektive të shteteve të tyre dhe karburantin për mbajtjen e pushtetit e kanë prodhimin e vazhdueshëm të krizave, prandaj duken sikur kanë marrëveshje mes tyre. Kuptohet, kjo nuk i amniston nga përgjegjësia për prodhimet populliste të krizave dhe kontributin në mbajtjen e drejtpeshimit që u jep shtytje proceseve antidemokratike dhe vendnumërimit ose, edhe më keq, regresit në zhvillimin e vendit.

Çelësi për largimin e Kurtit nga pushteti është trashja e provave se qeveria e tij dhe ai vetë janë pjesë e aferave koruptive, lidhjeve të çuditshme në promovimin dhe delegimin e pushtetit dhe kontrollin e institucioneve shtetërore dhe të sigurisë personave të paautorizuara, si Dejona Mihali… Po kështu duhet të kërkohet hetimi urgjent i pohimit të Florim Krasniqit, ish përkrahës i VV-së që kishte premtuar investime prej 50 milion dolarësh, dhe që së fundi ka pranuar publikisht se ai ka investuar për blerjen e pajisjeve kompjuterike për njësitin e laboratorit me argatët qenefa të LVV që prej vitesh helmojnë rrjetet sociale me fake news, shpfje dhe gjuhë të urrejtjes kundër të gjithë atyre që e kanë kritikuar VV-në ose që janë konsideruar rival të rezikshëm të sektit VV! Këto janë krime për të cilat mund të gjenden provat dhe që janë të dënueshme dhe prokuroria duhet, edhe pa denoncime, me i hetua dhe ndjek sepse ekziston prononcimi dhe kërkimfalja publike e “investitorit” të veprës penale./Lajmi.net/