Gjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të MTI-së, ftohet si dëshmitar ish-i akuzuari në këtë rast

Gjykata Themelore në Prishtinë në gjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Xh.S, ka marrë vendim që për seancën e radhës të ftohet në cilësi të dëshmitarit ish-i akuzuari në këtë rast, L.D.

Lajme

31/01/2022 15:43

Ndryshe, L.D në këtë rast fillimisht ka qenë i ka i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtarë, por që kjo aktakuzë ishte ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Xh.S po akuzohet se si udhëheqës i Divizionit për Mbështetje të Bizneseve dhe Zhvillimeve Regjionale në MTI, ka keqpërdorur informacione zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Management Development Association” (MDA).

Fillimisht në seancën e së hënës, mbrojtësi i të akuzuarit Xh.S, Mahmut Halimi i ka propozuar edhe një herë gjykatës që të shqyrtohet çështja e pranueshmërisë së provave të nxjerra nga laptopi i L.D, si dhe të urdhërohet Zyra e Bashkimit Evropian që të dorëzonte tërë dokumentacionin e tenderit ku i akuzuari kishte qenë anëtar komisioni.

“Duke iu referuar konstatimit të trupit gjykues në procesverbalin e datës 7 dhjetor 2021 në faqen 9 në të cilën janë refuzuar disa propozime të mbrojtjes dhe në vazhdim është konstatuar se këto propozime do të merren në konsideratë në faza tjera në rast se paraqitet nevoja për ndriçim sa më të plotë dhe të drejtë të gjendjes së fakteve. Meqenëse tani jemi në fazën e fundit të propozimit të provave unë me respekt edhe njëherë propozoj…”, tha ai.

Avokati Halimi gjithashtu ka propozuar që të caktohet eksperti i IT me qëllim të vërtetimit të faktit se si ishte e mundur që një e-mail privat siç ishte ai i të mbrojturit të tij, të vihej në dorë të një personi të panjohur, të nxjerren të gjitha të dhënat dhe t’i dërgohen zyrës së hetuesisë së Bashkimit Evropian “OLAF”.

“Gjithashtu në këtë drejtim përmes ekspertit të njëjtë të konstatohet nëse përmbajtja e e-maileve të supozuara ka pasur ndërhyrje me shtesa fjalësh dhe fjalish, të cilat ia kanë ndryshuar kuptimin e një shkrimi të caktuar në këtë çështje”, shtoi avokati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, këto propozime të mbrojtjes janë kundërshtuar nga prokurorja Drita Hajdari, e cila tha e-mailet janë prova të pranueshme dhe të siguruara në bazë të ligjit.

“Siç dihet këto e-maile janë dorëzuar nga L.D sepse shërbimi teknik i policisë nuk ka mundur të thyejë pasin e laptopit të L.D dhe e mbante atë laptop, ishte i konfiskuar, ndërsa L.D i cili në laptop kishte gjëra të tij profesionale që i duheshin për punë vendosi që për me ardhë fizikisht deri te laptopi t’i dorëzojë e-mailet në formën e PDF-së”, tha prokurorja Hajdari.

Sipas prokurores, kur e njëjta kishte siguruar e-mailet, ajo kishte marrë mendimin e profesionistëve nëse në këto e-maile kishte ndërhyrje apo jo.

“Unë kam pyetur qysh atëherë profesionistë a ka mundur të ketë ndryshime, ndërhyrje në këto e-maile, dhe më është thënë që në PDF nuk mund të intervenohet, aty mund të intervenohet nëse teksti bartet në “Word”, por atëherë ajo shihet më nuk është dokumenti në PDF dhe siç e thash L.D e ka dorëzuar në formë të PDF”, tha prokurorja.

Ndërsa, sa i përket propozimit për sigurimin e dosjes së tenderit, prokurorja tha se nëse ky propozim aprovohet nga gjykata, e njëjta vetëm se do të ndikonte në zvarritjen e procedurës penale.

Pas kësaj, gjykata sërish ka refuzuar propozimet e mbrojtjes, ndërsa sipas detyrës zyrtare ka vendosur që të ftohet në cilësi të dëshmitarit L.D, kjo me qëllim të vërtetimit sa më të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike në këtë çështje penale.

Andaj, seanca e radhës në këtë rast kur pritet të dëgjohet dëshmitari L.D dhe të jepet mbrojtja nga i akuzuari Xh.S është caktuar më 14 mars 2022.

Ndryshe në seancën e 4 nëntorit gjykata kishte ndaluar video-incizimin dhe fotografimin si dhe kishte kërkuar që emrat e dëshmitarëve nga Zyra e BE-së dhe të akuzuarit të publikohen me iniciale.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe L.D, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, por që kjo aktakuzë ishte ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 korrik 2017, kishte refuzuar kërkesat e avokatëve mbrojtës të Xh.S dhe L.D për hudhjen aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndaj këtij aktvendimi, avokatët mbrojtës kishin parashtruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Më 25 korrik 2017, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xh.S, ndërsa e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të L.D me arsyetimin se ndaj L.D, nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i njëjti e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pas kësaj, edhe Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur kundër aktvendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë.

Ndryshe sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xh.S akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjionale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit të përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA), e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportiť”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Xh.S, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar L.D, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, L.D i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xh.S, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Xh.S në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek L.D, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ai po akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.