Gjykimi i tretë për vrasjen në Lipjan, prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve kurse mbrojtja lirimin e tyre
Ka përfunduar gjykimi i tretë në rastin ku Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushi, po akuzohen se në vitin 2012, në bashkëkryerje dhe me dashje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kishin rrezikuar jetën e të tjerëve.
Lajme
Në seancën e mbajtur të mërkurën, prokuroria dhe mbrojtja kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare për këtë rast.
Në fjalën e saj, prokurorja Shemsije Asllani ka kërkuar që të akuzuarit të shpallën fajtorë dhe të marrin dënimin meritor.
Sipas saj, gjatë shqiptimit të dënimit duhet të merret parasysh fakti se të akuzuarit me paramendim dhe me marrëveshje paraprake kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
Prokurorja Asllani tha se gjykata duhet t’i marr parasysh të gjitha veprimet të cilat janë kryer me dashje në bashkëkryerje, mobilizim dhe me vetëdije të plotë për t’i kryer veprat penale të argumentuara në ngritjen e aktakuzës.
“Propozoj gjykatës që të njëjtit t’i shpall fajtor për këtë vepër penale dhe të ju shqiptoj dënimin e merituar sipas ligjit, e me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit dhe njëherë e përgjithmonë të ndalen këto veprime makabre, e të jepet shembull se drejtësia ia vlen”, ka deklaruar prokurorja.
Fjalën e saj e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ramz Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar lirimin e tyre nga akuzat e prokurorisë.
Mbrojtësja e të akuzuarit Arian Agushi, avokatja Sadije Mjekiqi ka thënë se ka mbetur e habitur se si prokuroria edhe në këtë gjykim ka mbetur pranë veprës penale të armëmbajtjes pa leje, pasi sipas saj, prokurori paraprak ka hequr dorë nga kjo vepër penale, me arsyetimin se i ka mbuluar ligji për amnistinë që ishte në atë kohë.
Avokatja Mjekiqi po ashtu ka thënë se armët me të cilat është kryer vepra penale janë zhdukur, gjë që sipas saj e bëjnë të mos ketë besim në këtë proces.
“Kur këtyre ju shtohen këto elemente, mungesa balistike e tani të ndjerit, mungesa e grimcave të barutit te tani i akuzuari Mentor Agushi dhe zhdukja e armëve në anën tjetër dhe thashethemet, kur unë ende po dua t’i quaj thashetheme dhe fjalë se ka pasur lidhshmëri mes prokurores Krasniqi dhe familjes Demiri.” ka thënë avokatja Mjekiqi
Në fjalën e saj përfundimtare, avokatja Mjekiqi ka thënë se klienti i saj ka vepruar në mbrojtje të nevojshme, duke e shmangur sulmin e atëçastshëm nga tani të dëmtuarit Demiri.
E sa i përket veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” me të cilën akuzohet i mbrojturi i saj, avokatja Mjekiqi ka thënë se nuk ka elemente të kësaj vepre penale dhe se gjykata e shkallës së parë për këtë vepër e ka liruar Agushin.
E lidhur me shqiptimin e dënimit, e njëjta i ka propozuar gjykatës që si rrethana lehtësuese të marr parasysh faktin se i mbrojturi i saj ka qenë jashtëzakonisht i sinqertë me ato që i ka thënë para trupit gjykues, kontributin esencial të vet familjes Demiri në ditën kritike, faktin se i akuzuari është i ri, ka probleme shëndetësore, pastaj qëndrimin mbi 9 vjet në paraburgim, është baba i tre fëmijëve si dhe se kurrë nuk ka rënë në konflikt me dikë tjetër.
Avokatja Mjekiqi ka kërkuar nga trupi gjykues që të mbrojturit të saj t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit.
Fjalën përfundimtare të saj e ka mbështetur i akuzuari Arian Agushi, duke shtuar se i vjen keq për ngjarjen që ka ndodhur.
“Rasti im siç dihet fillimisht ka pasur të shkoi si rast në mosmarrëveshje pronësore, por gjykata e Lipjanit e ka neglizhu këtë proces edhe policia Lipjanit ku unë jam ankuar e fatkeqësisht, ka ardh te kjo tragjedi për dy familjet e me ç’rast ka humb i ndjeri jetën, për të cilin më vjen keq shumë. Gjithashtu edhe ne si familje, unë me vëllezërit i kemi mbajt 24 vite si familje bashkërisht, kështu që dëmi është i dyanshëm.” ka thënë i akuzuari Arian Agushi.
Se mbesin të befasuar se nuk është hequr vepra penale e armëmbajtjes pa leje ka deklaruar edhe i akuzuari Mentor Agushi dhe mbrojtësi i tij, avokati Fehmi Shala.
Avokati Shala ka thënë edhe se klienti i tij nuk mund të gjykohet as për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”, duke i propozuar gjykatës që atë ta liroj nga akuza në mungesë të provave.
Tutje, avokati Selatin Ahemti, mbrojtës i të akuzuarit Shpend Agushi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin.
I njëjti i ka propozuar gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet, pasi tha se në veprimet e të njëjtit nuk është manifestuar asnjë veprim inkriminues.
Lirim nga akuza ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Xhezair Agushi, avokati Kadri Bicaj.
I njëjti tha se aktakuza e prokurorisë nuk ka asnjë mbështetje ligjore në kuptim të veprës penale me të cilën akuzohet klienti i tij.
Fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre i mbështetën edhe të akuzuarit.
Pas dëgjimit të tyre, shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 2 qershor, në ora 11:30.
Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim dy herë dhe pas kthimit për herë të dytë, nga gjykatësja Shpresa Hasaj–Hyseni, rasti kishte kaluar tek gjykatësi Naser Foniqi.
Pas përfundimit të gjykimit të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor 2015, kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve, me ç’rast të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë, për veprat penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtjes pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Të njëjtit i kishte dënuar me rreth 38 vjet burg, ashtu që i akuzuari Arian Agushi ishte dënuar me 19 vjet burgim, Mentor Agushi me 14 vjet, ndërsa Shpend Agushi dhe Xhezair Agushi ishin dënuar me nga 5 vjet burgim.
Aktgjykimin e shkallës së parë e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, mirëpo pasi lënda kishte shkuar në shkallën e tretë, Gjykata Supreme e Kosovës kishte anuluar të dy aktgjykimet dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në shkallën e parë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kthimit në rigjykim, në prill të vitit 2019 i kishte dënuar me mbi 41 vjet burgim të akuzuarit Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushi.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 15 prill 2019, nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, Arian Agushin ishte dënuar me 21 vjet burgim, Mentor Agushi me 11 vjet burgim, ndërsa të akuzuarit Shpend dhe Xhezair Agushi, ishin dënuar me nga 4 vjet e 10 muaj burgim.
Ndërsa, Arian Agushi në mungesë të provave ishte liruar nga akuza për veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ndaj të gjithë të akuzuarve për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ishte shqiptuar aktgjykim refuzues, pasi për këtë vepër prokurori Armend Hamiti, ishte tërhequr nga ndjekja penale.
Por edhe ky aktgjykim ishte anuluar nga ana e Gjykatës së Apelit dhe lënda është kthyer në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Sipas aktakuzës, së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2012, Arian Agushi, Mentor Agushi, Shpend Agushi dhe Xhezair Agushi, akuzohen se në bashkëkryerje me dashje e kanë privuar nga jeta të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.
Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit me 12 prill 2012, në fshatin Gadime e Epërme, në Lipjan, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me paramendim, kanë shkuar në arën e të dëmtuarit Nuredin Demiri, cili ishte duke punuar me djalin e tij, kishin sulmuar të dëmtuarin Nuredin Demiri.
Sipas aktakuzës, me të shkuar në arën e të dëmtuarit, i akuzuari Mentor Agushi, kishte gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe e kishte goditur në këmbën e djathtë.
Ndërsa, Arian Agushi akuzohet se me pushkën e gjuetisë gjuan në drejtim të Ramadan Nuredinit, të cilit i shkakton plagë vdekjeprurëse.
Katër të pandehurit akuzoheshin edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shitje të paautorizuar të armëve, ndërsa, Arian Agushi akuzohej edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shtënë disa herë me armë në oborrin e stacionit.
Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.