Gjykata Themelore në Prishtinë, dyermbyllur për ndikime politike

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi ka deklaruar se nuk ia vlen që të rinjtë tanë të mashtrohen dhe të gjenden në anën e kundërt të ligjit, aq më parë jo me vepra që klasifikohen si terroriste. Ai ka thënë se në gjykatën që drejton, privilegjet dhe politika përfundojnë të dera.

Lajme

17/05/2015 13:50

Në një intervistë për KosovaPress, Ibrahimi ka thënë se aksioni i cili është bërë vitin e kaluar dhe është nën autoritetin e kësaj gjykate ka ndikuar mjaft pozitivisht në zvogëlimin e numrit dhe beson se është arritur një efekt pozitiv nga këto veprime të ndërmarra.

Ibrahimi ka shtuar se luftimi dhe trajtimi i veprave të terrorizimit jo vetëm në këtë gjykatë por në secilën gjykatë toleranca është zero, dhe në këtë drejtim vazhdojnë ta kenë të njëjtin kontinuitet që këto çështje të procedohen me kohë.

Ibrahimi ka nënvizuar se përderisa do të jetë kryetar i kësaj gjykate, politika brenda kësaj ndërtese nuk ka vend dhe kurrë, në asnjë rast të vetëm nuk ka pasur në këtë gjykatë tentime për të ushtruar ndikime politike.

Ai ka sqaruar për opinionin se Gjykata Themelore e Prishtinës është një institucion ku secili individ ka qasje dhe mund të llogarisë se ka për të gjetur drejtësi nëse i duhet.