Gjykata Supreme lë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Dardan Krivaqës, duke vërtetuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe të Gjykatës së Apelit, me të cilat ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale “vrasje e rëndë”. Vendimi është marrë më 22 dhjetor 2025 nga kolegji i përbërë…

Lajme

27/02/2026 13:48

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Dardan Krivaqës, duke vërtetuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe të Gjykatës së Apelit, me të cilat ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Vendimi është marrë më 22 dhjetor 2025 nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Afrim Shala (kryetar), Valdete Daka dhe Burim Ademi (anëtarë). Aktgjykimi është publikuar më 26 shkurt 2026, transmeton lajmi.net.

Sipas vendimit të shkallës së parë, Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të M.O., me të cilën kishte bashkëjetuar, duke e kryer veprën në mënyrë mizore. Gjykata kishte konstatuar se gjatë dy ditëve rresht ai e kishte goditur viktimën me një shkop druri në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të shumta dhe dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat çuan në vdekjen e saj si pasojë e politraumës.

Gjykata Supreme vlerësoi se gjykatat më të ulëta kishin analizuar në mënyrë të plotë provat, përfshirë video-incizimet nga banesa e të akuzuarit, raportin e autopsisë dhe dëshmitë e ekspertëve mjeko-ligjorë. Sipas aktgjykimit, lëndimet e konstatuara nuk mund të ishin shkaktuar nga rrëzimi, siç kishte pretenduar mbrojtja, por nga goditje të përsëritura me mjet të fortë.

Sa i përket pretendimeve për shkelje procedurale dhe zbatim të gabuar të ligjit penal, Gjykata Supreme konstatoi se nuk ka pasur shkelje esenciale të procedurës dhe se dënimi me burgim të përjetshëm është shqiptuar në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata theksoi se rrethanat rënduese përfshijnë shkallën e lartë të përgjegjësisë penale, mënyrën mizore të kryerjes së veprës, moshën e viktimës dhe faktin se ajo konsiderohej anëtare e familjes për shkak të bashkëjetesës me të akuzuarin.

Me këtë vendim, dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës mbetet përfundimtar./lajmi.net/