Gjykata Supreme i jep të drejtë vendimit të BQK-së për KS “Kosova e Re”

Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paditësit - propozuesit, Shoqëria “Fitorja”, Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku-Menaxher dhe aksionar i vetëm i Kompanisë se Sigurimeve, ’’Kosova e Re”, Sh.A., të ushtruar kundër aktvendimit te Gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021.

Lajme

19/01/2022 16:00

Me aktvendimin e gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021, është aprovuar ankesa e BQK-së dhe është refuzuar kërkesa e propozueses, Shoqëria “Fitorja”,Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku-Menaxher dhe aksionar i vetëm i Kompanisë se Sigurimeve, ’’Kosova e Re”, Sh.A., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, me seli në Prishtine me nr. 70-24/2021, të datës 24.09.2021.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate aktvendimi i goditur i Gjykatës së Apelit është i qartë, i kuptueshëm dhe i arsyetuar mjaftueshëm për të gjitha faktet vendimore që kanë rezultuar me marrjen e tij, duke u bazuar edhe në dispozitat ligjore të Ligjit për BQK, të cilat rregullojnë ndalimin e shqiptimit dhe ekzekutimit të ndonjë mase, para se të nxjerrët vendimi përfundimtar gjyqësor ne çdo veprim ligjor të parashtruar para gjykatave të Republikës së Kosovës.

Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në takimin e mbajtur më datë 24 shtator  2021, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë Vendim që Siguruesit “Kosova e Re”, t’i revokohet Licenca nr. 007 e datës 25 prill 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore

Siguruesi  “Kosova e Re”, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, aftësisë paguese – solvencës dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike.

Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përkatësisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për sanimin e gjendjes financiare të Siguruesit “Kosova e Re”.

Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i Siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të Kompanisë.

Në të njëjtën kohë, Aksionari i Siguruesit “Kosova e Re” nuk iu është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi.

Mungesa e gatishmërisë së Aksionarit për t’i plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Siguruesit për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë.

Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë. /Lajmi.net/