Gjykata nesër merr vendim për Ylli Hoxhën dhe tjerët

Nëntë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të mbesin në arrest policor deri nesër kur Gjykata Themelore pritet të marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë për ta.

Lajme

14/10/2015 18:10

Nëntë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të mbesin në arrest policor deri nesër kur Gjykata Themelore pritet të marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë për ta.

Prokurori i rastit në fillim ka kërkuar një muaj paraburgim për të gjithë të arrestuarit, por gjatë seancës dëgjimore këtë masë të sigurisë e ka kërkuar vetëm për Uran Hasanin, Ylli Hoxhën, Premton Ibërdemajn, Arbër Kaqorraj dhe Adnan Loshajn.

Ndërsa prokurori është tërhequr nga kërkesa për një muaj paraburgim për të arrestuarit Shpat Selmanaj, Endrit Cacaj, Visar Dobra dhe Ardonis Mulaj. Për këta katër prokurori ka kërkuar paraqitje në stacionin më të afërt policor.

Këto detaje i ka bërë të ditur avokati i aktivistit të arrestuar Uran Hasanit, Driton Govori.

“Prokuroria shtetërore nuk është tërhequr vetëm për katër të pandehurit . Për Uran Hasani, nuk është tërhequr për Ylli Hoxha, Premton Ibërdemaj, Arbër Kaqorri dhe Armend Loshaj. Ndërsa Shpat Selmanaj, Endrit Cocaj, Visar Dobra dhe Ardonis Mulaj është tërhequr kërkesa për caktimin e paraburgimit. Prokuroria ka arsyetuar se sipas paraqitjes së deklaratës janë krijuar rrethana të reja të cilat prokuroria e vlerësoi që duhet të tërhiqet…Gjatë seancën për caktimin e paraburgimit prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë të vetme të cilat i mbështet po ka deklaruar që ato i posedon dhe në të ardhmen do t’i propozoj”, tha Govori.

Ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit Shpat Selmanaj, Nikë Shala, tha se ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë që të pandehurit Selmanaj t’ i caktohet masa e paraburgimit. Dhe pas këtyre kundërshtimeve nga ana e mbrojtjes, siç tha Shala, prokuroria u bind që këtë masë ta zëvendësoj me paraqitje në stacionin policor.

“Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës më të rëndë të paraburgimit. Unë si mbrojtës i tij këtë masë e kam kundërshtuar, kam ofruar prova kundër kërkesës dhe më në fund edhe prokuroria u bind se masa e propozuar për caktimin e masës më të rëndë e paraburgimit kërkoi që kjo masë të zëvendësohet me paraqitjen në stacionin policor…prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar si mjetin e kryer si vepër penale”, tha Shala pas përfundimit të seancës dëgjimore.

Seanca dëgjimore është mbajtur sot me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë ndaj 9 të pandehurve të ndaluar për shkak të pjesëmarrjes në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm n daj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës./K.P.