Gjini: VV-ja është bërë gati për zgjedhje, po kërkon kujt t’ia lërë fajin

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër pushtetin për situatën aktuale politike dhe institucionale në vend, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke u përgatitur për një proces të ri zgjedhor. Në një konferencë për media të martën, Gjini tha se pushteti, sipas tij, po kërkon mënyrën se si të shkojë drejt zgjedhjeve dhe…

Lajme

25/08/2026 19:17

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër pushtetin për situatën aktuale politike dhe institucionale në vend, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke u përgatitur për një proces të ri zgjedhor.

Në një konferencë për media të martën, Gjini tha se pushteti, sipas tij, po kërkon mënyrën se si të shkojë drejt zgjedhjeve dhe njëkohësisht të fajësojë partitë e tjera për krizën politike, transmeton lajmi.net.

“Këta janë bërë gati me shku në zgjedhje, janë ka e manipulojnë krejt Kosovën. Po janë duke shiku mënyra si me mbrri deri te zgjedhjet dhe kujt me ia la fajin”, ka deklaruar Gjini.

Ai tha se partitë politike, përfshirë Aleancën-në, kanë ofruar alternativa për tejkalimin e krizës, por sipas tij, pushteti nuk po pranon t’i shfrytëzojë ato.

“Sado që hapen dyer për uzurpatorët e pushtetit sot, ata nuk duan të kalojnë në ato dyer, duan vetë t’i mbajnë të mbyllura. Jo vetëm Aleanca, por edhe partitë e tjera kanë ofruar dyer për të dalë prej krizës. Këta njerëz mendësinë e vet e kanë me mashtru opinionin”, tha Gjini.

Kreu i Aleancës u ndal edhe te bllokimi i procesit të konstituimit të Kuvendit, duke akuzuar pushtetin se po ua pamundëson 120 deputetëve të zgjedhur nga qytetarët marrjen e mandateve.

“Ky pushtet, në mënyrën më brutale dhe më të paligjshme, nuk po i lejon 120 deputetëve të zgjedhur nga populli ta marrin mandatin”, u shpreh ai.

Sipas Gjinit, moskonstituimi i Kuvendit paraqet shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe parimeve demokratike.

“E kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo është ndër shkeljet më brutale të rendit kushtetues dhe të demokracisë. Nuk besoj se dikush mban mend diçka të tillë, veç në vitin 1989, fatkeqësisht më duhet ta them”, deklaroi ai.

Gjini foli edhe për gjendjen ekonomike, duke pretenduar se Kosova ndodhet në një krizë serioze dhe në “depresion ekonomik”. Ai paralajmëroi se ndërmarrjet vendore, sipas tij, po përballen me rrezik për shkak të politikave të Qeverisë.

“Kosova është në krizë serioze, është në depresion ekonomik. Ndërmarrjet tona janë gati të mbyllen për shkak të politikave të prishura”, tha Gjini./lajmi.net/