Aleanca fillon përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në disa degë, akuzon pushtetin për krizë politike dhe ekonomike
Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zhvilluar sot mbledhjen ku janë trajtuar çështje që lidhen me organizimin dhe funksionimin e degëve të partisë nëpër komunat e Kosovës. Në kuadër të mbledhjes, AAK ka formuar Komisionin për përgatitjen, organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme në degët ku ende nuk janë mbajtur kuvendet…
Lajme
Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zhvilluar sot mbledhjen ku janë trajtuar çështje që lidhen me organizimin dhe funksionimin e degëve të partisë nëpër komunat e Kosovës.
Në kuadër të mbledhjes, AAK ka formuar Komisionin për përgatitjen, organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme në degët ku ende nuk janë mbajtur kuvendet zgjedhore.
Nga AAK kanë thënë se konsolidimi i strukturave të brendshme është i domosdoshëm, duke e lidhur atë edhe me zhvillimet aktuale politike në vend.
Në deklaratën e tij, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se Kosova po përballet me krizë politike dhe vështirësi ekonomike.
Sipas tij, ndërmarrjet vendore po përballen me rrezik të mbylljes si pasojë e, siç i ka cilësuar ai, politikave të gabuara të pushtetit.
Haradinaj ka kritikuar gjithashtu situatën rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si “shkelje brutale të rendit kushtetues dhe demokracisë”.
Ai ka thënë se AAK-ja do të vazhdojë punën në terren dhe forcimin e strukturave të saj.
“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë punën në terren, të forcojmë strukturat tona dhe të ofrojmë rrugëdaljen e duhur për vendin”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me paralajmërimin se partia po përgatitet për zhvillimet e ardhshme politike: “Po bëhemi gati për proceset që na presin.”