Gjini: Standardi i jetës në Kosovë po bie, qeveria u jep para qytetarëve vetëm kur ka zgjedhje

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë, duke theksuar se askush nuk mund të qëndrojë i qetë përballë degradimit të standardit të jetesës në vend. Gjatë intervistës në emisionin “Click” në RTV21, Gjini deklaroi se ekzekutivi ka treguar mungesë totale të empatisë ndaj popullit, duke…

Lajme

01/07/2026 23:54

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë, duke theksuar se askush nuk mund të qëndrojë i qetë përballë degradimit të standardit të jetesës në vend.

Gjatë intervistës në emisionin “Click” në RTV21, Gjini deklaroi se ekzekutivi ka treguar mungesë totale të empatisë ndaj popullit, duke përdorur buxhetin për lëmosha elektorale në vend të investimeve strategjike.

“Nuk mundet dikush me e dashtë vendin e vet, edhe me qenë i qetë kur e sheh çka po ndodh. Kanë zero empati për njerëzit në Kosovë. Edhe për ata që i kanë votu, kur i rrenë krejt kohën, nuk është duke ta ndi. Aq ma pak po ja ndien për ta kur ju jep pare veç kur ka zgjedhje. Është marre për këndo që është në pushtet, me i dhënë pare popullit kur i vyn pushtetit, jo kur i vyn atyre, me ju dhënë pare kur ka zgjedhje se po i duhen atij”, ka thënë Gjini.

Duke u ndalur te rritja nominale e pagave dhe ndikimi i inflacionit, Gjini ftoi çdo qytetar të bëjë një llogari të thjeshtë të shportës së konsumit për të parë rënien e fuqisë blerëse. Ai potencoi se standardi i jetës në Kosovë po pëson rënie të vazhdueshme, përkundër faktit që qeveria shpenzon mjete për interesa të ngushta politike.

“A e mbulon rritja e pagës rritjen e inflacionit? Një gjë po ju tregoj që çdo qytetar e di, vetëm gjënë më të thjeshtë bëjeni, a bleni më shumë sot apo keni blerë para dy vjetëve, vetëm le ta shohin a blejnë më shumë sot apo para disa vitesh. Standardi i jetës në Kosovë është duke rënë. Përkundër të gjitha mjeteve që po shpenzohen kur i duhen qeverisë jo kur i duhen qytetarit, prap po jetojmë më keq”, deklaroi Kryetari i Aleancës.

Gjini kritikoi ashpër mënyrën se si po ridistribuohet buxheti i shtetit, duke e quajtur këtë strategji të qeverisë si një “ridistribuim të poshtër” që injoron projektet kapitale kombëtare, siç është autostrada e Gjilanit, e cila do t’u kursente qytetarëve kohë dhe karburant.

“Janë disa lloje të shpërndarjes, politika ekziston në ridistribuim. Jepen në elemente standarde për qytetarët. Nëse e paguan policinë, po ia rritë sigurinë në trafik. Nëse e paguan shëndetësinë, se nuk ka nevojë secili me e pagu mjekun vet. Veç mos me vjedh me shku në QKUK mos me pas penjë. Janë edhe disa gjëra që qeveritë duhet me i bë, me i kry autostradën e Gjilanit, se i kursen nga 100 euro në muaj secili që udhëton, në karburant, në veturë e në kohë. Ridistribuim i poshtër është me ja marrë krejt, e me ja u dhanë veç kur vijnë zgjedhjet. Me qato 100 euro blen përgjysmë se sa që ke ble para 5 vjetëve.”

Duke marrë si shembull fatkeq dështimin e shtetit për të mbrojtur pacientët me sëmundje të rënda, Gjini këtë e cilesoi si një mashtrim të madh elektoral.

“Shëndetësinë me letra e kemi falas, e kushdo që ballafaqohet me një sëmundje të rëndë, ose duhet me pas pare shumë, ose duhet me shitë shtëpinë. Qysh mundet në këtë shtet, një i sëmurë me kancer me bankrotu, qysh mundet me ndodh. Ky është mashtrim me elektoratin. Qato 100 euro vetëm 10 me i hjek prej secilit, ka me e pas kimioterapinë në rregull e të gjitha tjerat, edhe atë qenin tapall mos me pas aty. Po më duket do t’i dërgojnë këta të GUXO-s me e hjek”, përfundoi ai.