Gjini me mesazh për PDK-në dhe VV-në: Ligji për Specialen dhe lënda në Kushtetuese janë procese të ndara, mos negocioni shkeljen e Kushtetutës

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini në emisionin Pressing në T7 ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale. Ai dërgoi një mesazh të qartë që të mos pranojnë këto kalkulime, ndërsa Kurtit i kërkoi të mos fshihet pas dilemave por të veprojë nëse beson në kushtetutshmërinë e institucioneve. Sipas kreut të Aleancës, është krejtësisht jonormale…

Lajme

22/09/2026 21:50

Kreu i Aleancës, Ardian Gjini në emisionin Pressing në T7 ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale.

Ai dërgoi një mesazh të qartë që të mos pranojnë këto kalkulime, ndërsa Kurtit i kërkoi të mos fshihet pas dilemave por të veprojë nëse beson në kushtetutshmërinë e institucioneve.

Sipas kreut të Aleancës, është krejtësisht jonormale që shkelja e aktit më të lartë juridik të shtetit të futet në pazare politike, pasi këto duhet të jenë procese plotësisht të ndara:

“Unë nuk e kam pa si normale tendencën me negociu tërheqjen e lëndës prej Gjykatës Kushtetuese, me votimin e ligjit të ri për Specialen. Po shpresoj që miqtë e mi në PDK më kuptojnë drejtë cka po ju them, fillimisht Kurti nuk ka qenë fare me e sjellë në tavolinë këtë temë, duhet mi pa si tema të ndara. Po e negocioojmë shkeljen e Kushtetutës me diçka fort legjitime. Nuk bën më kështu. Duhet me qenë procese të ndara,” deklaroi Gjini.

Në vazhdim, Gjini hodhi poshtë çdo kalkulim të mazhorancës dhe e sfidoi hapur kryeministrin Albin Kurti që të thërrasë seancën nëse vërtet beson në kushtetutshmërinë e institucioneve, duke shtuar se narrativa e lirisë nuk guxon të preket.

“Nëse Kurti po supozon që institucionet janë legjitime e kushtetuese, mundet me thirrë seancën nesër. Cka po na thotë ai, që ka dilema edhe vetë? Nuk guxon me u ndotë tregimi jonë për liri. Ne duhet me luftu për atë tregim. Për këto duhet me luftu, qeveria e Kosovës, politika e Kosovës,” përfundoi kryetari i Aleancës.