Gjini i kërkon llogari Kurtit: Pse jemi të përjashtuar nga dialogu strategjik me Amerikën, kujt jeni duke i bërë favor?
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për raportet me partnerët ndërkombëtarë, duke kërkuar sqarime se pse, Kosova po trajtohet si bashkëfajtore në zhvillimet në rajon. Në emisionin “Context” në ATV, Gjini tha se Serbia është pengesa kryesore për përparimin e Ballkanit, ndërsa e cilësoi si fatkeqësi faktin që Kosova dhe Serbia…
Lajme
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për raportet me partnerët ndërkombëtarë, duke kërkuar sqarime se pse, Kosova po trajtohet si bashkëfajtore në zhvillimet në rajon.
Në emisionin “Context” në ATV, Gjini tha se Serbia është pengesa kryesore për përparimin e Ballkanit, ndërsa e cilësoi si fatkeqësi faktin që Kosova dhe Serbia përmenden së bashku nga kancelari gjerman.
“Është fatkeqësi me ardh puna me thanë kancelari gjerman që Serbia dhe Kosova, me i përmend të dyja. Kjo është fatkeqësia, kemi ardh në këtë moment. E vërteta është që Serbia është ajo që po e ndal Ballkanin me ecë përpara. Serbia është nyja e të gjitha problemeve që ndodhin në Ballkan”, deklaroi Gjini.
Ai tha se Kosova po bën gabime në raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe se ata i njohin hollësisht zhvillimet dhe arsyet që, sipas tij, kanë çuar në këtë situatë.
“Në Kosovë dikush duhet me tregu pse edhe Kosova është bashkëfajtore. Jemi duke bërë gabime, partnerët tanë i dinë detajet, nuk u ikë diçka. Ata e dinë krejt pse po thonë që edhe Kosova ka faj”, u shpreh ai.
Kreu i Aleancës kërkoi nga Qeveria që të dalë publikisht dhe të shpjegojë arsyet e përjashtimit të Kosovës nga dialogu strategjik, si dhe veprimet apo mosveprimet që kanë ndikuar në raportet me aleatët.
“Qeveria le të tregojë pse po thonë që edhe ne i kemi fajet. Dilni, tregoni pse jemi të përjashtuar nga dialogu strategjik. Tregoni çka keni bo ose çka s’keni bo, pse po na penalizon krejt bota për shkakun tuaj? Kujt je tu i bo favor?”, tha Gjini.