Gjilani përfiton grant për mjedisin

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri nënshkruan sot marrëveshjen për grantin “Ta pastrojmë Kosovën”.

Lajme

23/10/2019 16:14

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se komunat që kanë qenë më aktive janë shpërblyer nëpërmjet projekteve.

Ai tha se komuna e Gjilanit, fal punës së kryetarit Haziri, bashkëpunimit me MMHP, është duke shënuar progres në mbrojtjen e mjedisit, trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e shtretërve të lumenjve etj.

“Komuna e Gjilanit gjatë asaj fushate ka qenë mjaft aktive në eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe në mirëmbajtjen e zonave të gjelbëruara dhe ne për komunat që kanë qemë më aktive I kemi shpërblyer me grante në formë projektesh. Pra, kanë qenë të ndara 1.2 milion euro për dhjetë komuna fituese, katër komuna nga 150 mijë euro dhe gjashtë të tjera me nga 100 mijë euro”, tha Matoshi.

Ndërsa, kryetari Haziri tha se këto mjete do të destinohen për ambient, sipas të cilit, ruajtja e ambientit do të ndikojë në përmirësimin e kushteve për jetë më të mirë për qytetarët e Gjilanit, ku tashmë janë duke u ndërtuar tri parqe.

“Këto mjete do të destinohen për ambient sipas angazhimeve që kemi. Në Gjilan jemi duke i ndërtuar tri parqe të reja, parku i paqes, parku i pajtimit dhe parku i mundësive të barabarta. Natyrisht, një pesë e këtyre mjeteve do të shkojnë edhe për komunitetin drejtpërdrejt, duke vlerësuar rolin e kontributin e qytetarëve… Këto mjete do të destinohen në mbrojtje të ambientit, krijimin e hapësirave të gjelbëruara. Në veçanti, unë jam falënderues për realizimin e projektit kryesor, implementimi i ujërave të zeza që është 26 milionë euro, tashmë pritet vetëm ratifikimi i marrëveshje së dytë në kuvend pas inaugurimit dhe fillon faza e implementimit”, deklaroi Haziri.

Ndryshe, MMPH sot ka nënshkruar kontratë lidhur me këtë çështje edhe me kryetarin e Gjakovës dhe atë të Vitisë./kp