Aksioni i mbrëmshëm në tri qytete, policia zbulon detaje për planin e dyshuar për v*asje
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion policor lidhur me dyshimet për përgatitjen e një vrasjeje të rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve. Gjatë operacionit, të realizuar më 28 nëntor, janë kontrolluar disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe…
Lajme
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka realizuar një operacion policor lidhur me dyshimet për përgatitjen e një vrasjeje të rëndë në bashkëkryerje dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve.
Gjatë operacionit, të realizuar më 28 nëntor, janë kontrolluar disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, ku janë identifikuar pesë persona të dyshuar.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, fillimisht është identifikuar viktima, e cila është intervistuar nga hetuesit, ndërsa është sekuestruar edhe vetura e dyshuar.
“Është sekuestruar vetura e dyshuar ku në brendi është gjetur arma pistoletë me shurdhues dhe 5 fishekë”, thuhet në raportin e Policisë.
Gjatë kontrolleve në shtëpitë e të dyshuarve, policia ka arrestuar dy persona, ndërsa ka gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë tjetër me shtatë fishekë.
“Lidhur me rastin janë identifikuar pesë të dyshuarit m/k, ku janë kontrolluar shtëpitë e tyre, ku janë arrestuar dy prej tyre (të dyshuarve) si dhe është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë me 7 fishekë”, thuhet më tej në raport.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa tre të tjerët gjenden në arrati.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar në koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të identifikimit dhe lokalizimit të personave të tjerë të dyshuar dhe dokumentimit të plotë të rastit.
Operacioni është realizuar nga hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me mbështetjen e Njësisë për Mbështetje Speciale (NJSO). /Lajmi.net/