Gjermania rrit sigurinë në institucionet hebraike pas sulmeve Izrael–Iran

Gjermania ka rritur masat e sigurisë në institucionet hebraike dhe izraelite në vend, në përgjigje të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit. Kancelari Friedrich Merz deklaroi se shërbimet gjermane të sigurisë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme që pas sulmeve ajrore izraelite ndaj objektivave iraniane, shkruan DW. Merz tha se ishte informuar personalisht nga kryeministri…

Bota

13/06/2025 21:59

Gjermania ka rritur masat e sigurisë në institucionet hebraike dhe izraelite në vend, në përgjigje të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.

Kancelari Friedrich Merz deklaroi se shërbimet gjermane të sigurisë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme që pas sulmeve ajrore izraelite ndaj objektivave iraniane, shkruan DW.

Merz tha se ishte informuar personalisht nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për operacionin ushtarak. Pas bisedës, kancelari thirri menjëherë kabinetin federal të sigurisë. Ai përsëriti mbështetjen e Gjermanisë për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por njëkohësisht u bëri thirrje palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe destabilizimin e rajonit.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, njoftoi masa paraprake për forcimin e sigurisë në objektet hebraike dhe izraelite në Gjermani.

“E konsiderojmë si skenar real rreziku ndikimin e krizës në Lindjen e Mesme edhe mbi sigurinë tonë të brendshme,” tha ai nga Bremerhaven, pas një takimi me ministrat e brendshëm.

Ambasada izraelite në Berlin mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë, sipas një postimi në platformën X. Ajo është një nga misionet më të mëdha diplomatike të Izraelit në botë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Gjermanisë raportoi se aktualisht rreth 3,500 qytetarë gjermanë ndodhen në Izrael, 1,000 në Liban dhe disa qindra të tjerë në Iran, Irak dhe Jordani. Autoritetet u kanë bërë thirrje shtetasve të ndjekin me përpikëri udhëzimet lokale për sigurinë.