Gjermania pro vendeve të rezervuara në Kuvend

Zëvendës-Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler, thotë se shteti i tij është pro vendeve të rezervuara për komunitetet pakice ne Kuvend. Por, pohon se për këtë duhet të vendosë Parlamenti.

Lajme

03/02/2014 19:00

Gjermania është në favor të vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës.

Kështu u shpreh gjatë një interviste për RTK’në Zëvendës-Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Kiesler.

“Ambasadori im e ka bërë shumë të qartë, ne jemi në favor të vendeve të rezervuara. Por, përfundimisht i mbetet Parlamentit të vendosë se çfarë sistemi është më i mirë për kohën”.

“Ne po e përsërisim mendimin tonë që sistemi i vendeve të rezervuara për minoritetet do të jetë një zgjidhje e mirë”.

Kiesler, po ashtu, tha për RTK’në se normalizimi i raporteve me Kosovën do të luajë rol të rëndësishëm me anëtarësimin e Serbisë në BE.

Sipas tij, këtë gjë nuk e ka thënë vetëm Gjermania, por një gjë e tillë është e shkruar edhe në dokumentet e Bashkimit Europian.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm dhe ne gjithnjë e kemi thënë këtë, gjë e cila është shkruar edhe në dokumentin e BE’së. Serbia tanimë ka filluar procesin e negociimit për anëtarësim në BE dhe janë disa elemente të cilat garantojnë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është shumë i rëndësishëm për këto negociata”.