Gjermania kërkon tërheqjen e Rusisë nga Ukraina
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se situata në lindje të Ukrainës po përkeqësohet, dhe kjo me faj të të gjitha palëve, përfshirë edhe të Rusisë.
Bota
Ai ka kërkuar që palët të zbatojnë marrëveshjen e armëpushimit arritur në Minsk më 5 shtator, mes Rusisë, Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë.
Steinmeier këto komente i ka bërë të hënën gjatë vizitës zyrtare në Kazakistan, raporton RFE.
“Fatkeqësisht, situata është përsëri shumë serioze. Duhet të kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira në konflikt, përfshirë edhe Rusinë, që të i kthehen marrëveshjes së armëpushimit”, ka thënë Steinmeier.
Së fundi, është raportuar për intensifikim të shpërthimeve në Donetsk të Ukrainës.
Një ditë më parë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur dërgimin e konvojëve me armë dhe trupave në lindje të Ukrainës, të cilat zyrtarë ukrainas kanë thënë se vijnë nga Rusia.