Gjenocidi në Kosovë në trajtimin e Jamie Donoughue

Tri histori të vërteta, janë gërshetuar në njëra tjetrën, për të bërë një tregim të vetëm, që tregon gjenocidin serb që ndodhi në Kosovë.

ShowBiz

12/08/2015 18:56

Regjisori anglez Jamie Donoughue, zgjodhi aktorët e edhe vend xhirimet në Kosovë, kështu realizoi filmin “Shok” që sjellë Petritin dhe Okin, dy shokë të ngushtë të cilët gjenden në situata të vështira në kohën e luftës së Kosovës. Miqësia e tyre vihet në provë në këtë dramë, që vjen në DokuFest pas Apsen Film Festival ku mori tri çmime, raporton lajmi.net.

Filmi në 21 minuta tenton të sjellë luftën në një film që vetë regjisori thotë se nuk është film për luftën, por më shumë një film që largon ndasitë dhe tregon se jetërat e njerëzve janë barazueshëm të vlefshme dhe se jemi më të ngjashëm sesa mendojmë.

“Kam ardhur në Kosovë dhe kam hasur në profesionalizëm të madh të aktorëve. Kur dëgjon për krimet e shkatërrimet që kanë ndodhur në Kosovë është krejt ndryshe nga ndjenja kur dikush ti tregon ato, ti beson ato. Nuk kam besuar se këto mizori kanë ndodhur në Evropë, jo shumë kohë më parë. Pak njerëz e kanë ditur tregimin e vërtetë derisa kanë nisur të bëhen krijime kinematografike të cilat largohen nga gjeneralizimi por futen në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve, në vuajtjet e tyre më të thella”, thotë ai.

Pranon se ai dhe njerëzit prej nga vjen, dinë pak për atë që ka ndodhur në Kosovë.

“Ka pasur njerëz që kanë ardhur e më kanë treguar se kanë interesim për Kosovën, duan të dinë më shumë, pra filmi u ka dhënë shkëndija për më shumë informacion. Nëse diçka e tillë ndodh me filmin “Shok” atëherë unë ndihem mirë dhe filmi ka pasur suksesin dhe ndikimin e tij”, thotë Donoughue.

Filmi është prodhim i vitit 2013, dhe është në garën e filmave ndërkombëtarë./lajmi.net