“Gjendja është e rëndë”, shefi i Emergjencës flet për personin që u plagos në Prishtinë derisa po transportonte para
Një person është plagosur sot tek qendra tregtare “Albi Mall” në Prishtinë derisa po barte paratë e bankomateve që gjenden në këtë qendër, shkruan lajmi.net. Për gjendjen e tij shëndetësore, detaje ka dhënë shefi i Klinikës së Emergjencës, Naser Syla. Ai ka thënë se gjendja e tij është e rëndë. “Është në sallë të operacionit, janë…

Lajme
Një person është plagosur sot tek qendra tregtare “Albi Mall” në Prishtinë derisa po barte paratë e bankomateve që gjenden në këtë qendër, shkruan lajmi.net.
Për gjendjen e tij shëndetësore, detaje ka dhënë shefi i Klinikës së Emergjencës, Naser Syla.
Ai ka thënë se gjendja e tij është e rëndë.
“Është në sallë të operacionit, janë kryer egzaminimet te ne dhe po intervenohet nga ekipet e anestezionit dhe të kirurgjisë. Gjendja është e rëndë definitivisht”, ka thënë Syla për lajmi.net.
Ai ka thënë se i plagosuri ka plagë në pjesën abdominale dhe se për momentin është në sallën e operacionit.
Lajmin për këtë plagosje pak më parë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë thënë se hetuesit policorë po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
“Sot rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, tha Flora Ahmeti për lajmi.net.
Ajo theksoi se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Lajmi.net mëson se paratë tashmë janë arritur të grabitjen, por se nuk dihet vlera e përgjithshme e tyre.
E një rast i ngjashëm me po të njëjtën kompani pati ndodhur vite më parë.
Pikërisht në mars të vitit 2021, një furgon që po barte para nga njëra prej bankave me kompaninë “Besa Security” ishte sulmuar me armë zjarri nga ku ishin grabitur rreth 1 milion euro.
Si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri, dy punonjës të kësaj kompanie ishin plagosur.
Kjo kompani, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë sulmuar automjetin e kësaj kompanie me armë të kalibrit të rëndë dhe me kallashnikov.
“Automjeti ka qenë i armatosur kundër këtyre armëve dhe se punonjësit kanë pasur të veshur jelekët anti-plumb”.
Andaj, thanë se gjendja shëndetësore e dy të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë.
“Në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, afër Badovcit, disa plaçkitës kanë sulmuar kombin e Transportit të Parave të Gatshme me armë të kalibrit të rëndë dhe me kallashnikov. Dy punonjës të TPG-së, janë të plagosur. Të njëjtit, falë veturës të armatosur kundër kallashnikov, jelekëve antiplumb të veshur nga punonjësit tonë dhe më pas falë një veture të FSK-së që ka kaluar pas pak minutash dhe të cilët ia kanë dhënë ndihmën e parë të dy punonjësve, sipas informatave janë jashtë rrezikut për jetë.” /Lajmi.net/