GIZ do të ndihmojë Komunën e Mitrovicës në realizimin e projekteve
Organizata gjermane GIZ së shpejti në komunën e Mitrovicës do të organizojë punëtori me zyrtarët e Komunës, me qëllim të evidentimit të projekteve më prioritare, në mënyrë që të bashkëpunojë për realizimin e tyre në një të ardhme të afërt.

Lajme
Drita Binaj, eksperte në GIZ, foli për këtë mbështetje gjatë takimit me nënkryetarin e Komunës, Safet Kamberi.
Binaj tha se GIZ-i është fokusuar që të ndihmojë Mitrovicën në realizimin e atyre projekteve që kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve publike. Sipas saj, fillimisht duhet të organizohen punëtori, ku do të caktohen prioritetet dhe më pas do të fillohet më implementimin e tyre.
“Në takimin që kemi pasur me kryetarin Bahtiri, kemi caktuar disa prioritete që Komuna e Mitrovicës i ka, siç është vendosja e kontejnerëve nëntokësorë, ofrimi i shërbimeve në Kçiq të Madh, ofrimi i trajnimeve për grandet e IPA-s dhe prioritetet tjera. Në bazë të punëtorisë që do t`i organizojmë, edhe do t`i caktojmë prioritetet që i kemi”, tha ajo.
Safet Kamberi ka mirëpritur mbajtjen e këtyre punëtorive. Ai tha se e vlerëson këtë mbështetje në realizmin e projekteve të ndryshme që si qëllim kanë ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarë. “Ne jemi fokusuar të punojmë që tu ofrojmë qytetarëve shërbime sa më cilësore. Ndihmesa juaj në projektet tona është e mirëseardhur, andaj e mirëpresim bashkëpunimin”, ka thënë Kamberi, raporton Kosovapress.