Gërvalla-Schwarz i quante ushtarët e UÇPMB-së dhe UÇK-së “barbarë” dhe “ekstremistë të dhunshëm”
Profili i Donika Gërvalla-Schwarz skicohet sa hap e mbyll sytë: njëherë anti-UÇK, gjithmonë anti-UÇK. Megjithëse asaj për katër vite me radhë iu ngarkua udhëheqja e politikës së jashtme të Kosovës, trashëgimia e saj politike filloi e mbaroi me luftë verbale kundër gjithçkaje të lidhur me UÇK-në. Prej 2001-s e deri më sot, ish-aktivistja e LDK-së…

Lajme
Profili i Donika Gërvalla-Schwarz skicohet sa hap e mbyll sytë: njëherë anti-UÇK, gjithmonë anti-UÇK. Megjithëse asaj për katër vite me radhë iu ngarkua udhëheqja e politikës së jashtme të Kosovës, trashëgimia e saj politike filloi e mbaroi me luftë verbale kundër gjithçkaje të lidhur me UÇK-në.
Prej 2001-s e deri më sot, ish-aktivistja e LDK-së e krijoi një imazh të tillë për UÇK-në sa ajo të asocionte mentalisht me ekstremistë të dhunshëm, me provokatorë e zullumqarë ndaj pakicave. “Diese Barbaren” (Këta barbarë…), shfryente ajo më 2001 kundër UÇPMB-së në Luginë dhe UÇK-së në Maqedoni.
Në një shkrim jo fort të njohur të publikuar më 2001 në revistën gjermane “OST-WEST. Europäische Perspektive”, Gërvalla-Schwarz insinuonte UÇK-në se po përhapte provokime të dhunshme në Serbinë jugore e në Maqedoni. Prandaj, ajo i kërkonte Perëndimit që të mos binte në kurthin e “ekstremistëve” shqiptarë, por t’i shndërronte ata në humbësa.
Col Mehmeti
Kryediplomates në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz nuk i bëhet vonë as për izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe as për sanksionet e vëna që prej qershorit 2023.
Ashtu siç bëri gjatë gjithë mandatit të saj katërvjeçar, edhe këtë të enjte ajo zgjodhi videot për të sulmuar ish-presidentin Hashim Thaçi.
Materiali në fjalë përmbante një bisedë të çkontekstualizuar telefonike mes Thaçit dhe ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Kaq i ka mjaftuar ish-ministres së Jashtme për t’i dhënë “arsyet e vërteta të bllokadës në Kuvend”.
“Një rikujtim për të gjitha ata që kanë harruar si bëheshin koalicionit në të kaluarën”, ka shkruar ajo.
Një histori për faqe të zezë
Por, ky fiksim obsesiv i zonjës Gërvalla-Schwarz me Thaçin, UÇK-në dhe trashëgiminë e luftës ka pas vete një histori për faqe të zezë.
Qysh në vitin 2001, Gërvalla si aktiviste me zulmë e LDK-së e kishte kthyer artilerinë verbale kundër UÇK-së.
Nga pena e saj letërnxiheshin edhe cilësime shpërfytyruese për përfaqësuesit dhe ushtarët e UÇK-së si “ekstremistë të prirë për dhunë” (die gewaltbereiten Extremisten) e “doras të dhunës” (gewalttäter)—madje, në një vend ajo shpërthente duke i quajtur kryengritësit shqiptarë në Maqedoni e Luginë të Preshevës “këta barbarë…” (diesen Barbaren).
Në moshën 30-vjeçare, Gërvalla nga Berlini e botoi artikullin namkeq “Wohin gehört Kosova?” (Kujt i përket Kosova) në revistën gjermane “OST-WEST. Europäische Perspektive”.
Në të vërtetë, pjesa e parë e këtij vështrimi niste me një përmbledhje fare sinoptike të problemit të Kosovës.
Sidoqoftë, kusuri i tekstit strumbullohej rreth atij që autores i dukej problemi më i madh: përfaqësuesit e UÇK-së.
Sipas Gërvallës, për Kosovën e pasluftës kapitulli më i errët (schlimmen Kapiteln) ishte hakmarrja ndaj pakicës serbe.
Në sytë e aktivistes së LDK-së, bashkësia ndërkombëtare kishte instaluar “ekstremistë” të cilët ia kalonin edhe Beogradit për nga shkalla e dhunës.
“Një prej kapitujve më të rëndë është hakmarrja e ekstremistëve me përvojë e të dhunshëm mes kosovarëve kundër qytetarëve serbë dikur të privilegjuar të Kosovës. Edhe dallimi mes dorasve dhe jodorasve mes pakicës serbe nuk e lejon as përligjjen më të vogël për sjelljen që e kontradikton vullnetin e qartë të shumicës dërmuese të kosovarëve. Dhe ekstremistët e instaluar nga bashkësia ndërkombëtare sollën me vete një element dhune që nuk ka qenë e pranishme në këso shkalle, madje as gjatë periudhës së dhunës masive nga Beogradi”, shkruante Gërvalla.
Gërvalla zi e terr për Kosovën: “Ka frikë e panik”
Tabloja që i ofronte publikut lexues gjerman ishte ajo e një Kosove në të cilën një pakicë po terrorizohej, kurse pjesa tjetër e shoqërisë bënte sehir nga frika dhe paniku që po e kapëlonte vendin (frischer Angst und frischer Panik).
“Shoqëria e përshkuar nga një frikë dhe panik i ri shikonte sesi ajo dhe njerëzit pakicë që i ishin besuar po terrorizoheshin përsëri – edhe më keq, kësaj radhe nga një pakicë prej radhëve të saj. Ata që qëndruan të heshtur u bënë vetë viktima. Lista e shqiptarëve kosovarë nga qarqet civile e të civilizuara që u vranë ose u plagosën prej ekstremistëve është e gjatë dhe është shpërfillur me qëllim në Evropën qendrore”, shkruante me plot seriozitet aktivistja nga Berlini.
Megjithatë, Gërvalla i shërbente lexuesit gjermanë të revistës me uzdajën se gjendja në Kosovë nuk ishte e gjitha zymtane, madje, sipas saj, kosovarët e donin më fort Rugovën në vend të Thaçit dhe rrugën civile në vend të rrjeteve militante.
“Sapo kosovarët patën mundësinë, ata qartazi i hodhën poshtë dorasit e dhunës dhe përfaqësuesit e tyre politikë: Rugovën në vend të Thaçit, një rrugë civile në vend të rrjeteve militante—kjo ishte vetëm një befasi për vëzhguesit e jashtëm. Njerëzit e vendit tim thjesht po e prisnin mundësinë që ta shprehnin sigurt e fshehtas vullnetin e tyre të vërtetë përmes zgjedhjeve.”
Gërvalla për UÇPMB-në dhe UÇK-në: “Ata po provokojnë”
Por, Gërvallës po ia prishte këtë idil një ngjarje që ajo nuk e shihte me sy të mirë—prej fundit të vitit 1999 e përgjatë pjesës më të madhe të vitit pasues, disa qindra shqiptarë u bënë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB).
Thuajse njëkohshëm filloi edhe kryengritja e armatosur në Maqedoni me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) si prijatare e përçapjes për një shtet të barabartë ku shqiptarët do të ishin element shtetformues.
Sadoqë dy kryengritjet gëzonin mbulim mediatik ndërkombëtar, përfshirë edhe lëvizje diplomatike në Bruksel e Washington, aktivistja e LDK-së shfaqej tejet negative me vlerësimet e saj për UÇPMB-në dhe UÇK-në.
Nga pena e Gërvallës, lexuesve gjermanë iu krijohej imazhi i shqiptarëve si njerëz të dhunshëm e ekstremistë që provokonin.
“Ajo çfarë tani po bëjnë ekstremistët në kufijtë e Kosovës, në Serbinë jugore, dhe në Maqedoni, është rikthim te strategjia e moçme: provokim me dhunë për të fituar vëmendje e njohje. Shpresshmërisht, Evropa nuk do të lajthihet me këtë taktikë. Shpresshmërisht, Evropa e njeh potencialin e kosovarëve për ta kundërpeshuar këtë strategji”, shkruante Gërvalla.
Ajo shpresonte se “Evropa nuk do ta braktisë për së dyti shumicën dërmuese të kosovarëve civilë e të civilizuar për këta barbarë – një gabim diplomatik i këtyre përmasave mund të jetë fatal për Evropën.”
“T’ia tregojmë vendin” UÇK-së
Pa e ndërprerë fare logorrenë e saj anti-UÇK, Gërvalla në tekst shkruante se një Kosovë paqësore do të bëhej e mundur vetëm kur “t’iu tregohej vendi” njerëzve të luftës (in die Schranken gewiesen warden).
Ajo e shembullzonte poentën e saj duke e marrë veresije një fjalë të urtë gjermane “Es kann der Beste nicht in Frieden leben, wenn es dem Nachbarn nicht gefällt” (Edhe më i miri s’jeton dot në paqe nëse nuk e do fqinji i tij).
Sipas Gërvallës, “Kosova mund të veprojë si fqinj paqësor vetëm kur ekstremistët, dorasit e dhunësit, dhe përfituesit e luftës mbahen nën fre.”
Gërvalla, tutje, as nuk i shihte me sy ata ushtarë të UÇK-së që, sipas saj, ishin mendërisht të armatosur (mental bewaffnet bleibt).
Gjuha paushalle e prokuroriale e saj i bënte ata fajtorë për “vrasje të pafajshmish” e për “provokim incidentesh të dhunshme”.
“Ata që mbesin mendërisht të armatosur, që vrasin të pafajshëm, provokojnë incidente të dhunshme, dhe shpresojnë për eskalim, duhet të bëhen humbësa”, shkruante ajo.
Duke ideuar Gjykatën Speciale
Në diçka që fare lehtë mund të interpretohet si thirrje për krijimin e një Gjykate Speciale, Gërvalla shestonte që kosovarët nuk mund t’i bëjnë “humbësa” përfaqësuesit e luftës.
Por për një gjë të tillë, sipas rradakes së saj, kërkohej edhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare.
“Kosovarët nuk mund ta arrijnë vetë këtë; na duhet mbështetje ndërkombëtare. Për këtë, ne mund t’ia dalim edhe pa veprimet e pamundura të Kombeve të Bashkuara, por duke u mbështetur më tepër në kontributet konkrete të stabilitetit nga KFOR-i (NATO) dhe BE-ja.”
Njëherë anti-UÇK, gjithmonë anti-UÇK
E votuar së fundmi nga 113,239 qytetarë të Republikës së Kosovës – duke qenë e treta në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje – Gërvalla-Schwarz ka qenë për katër vite me radhë ministrja që diplomacinë e Kosovës e ktheu në një zero me xhufkë.
Krejt kjo nguau në rrethanat e izolimit të plotë dhe sanksioneve të dyfishta nga Washingtoni dhe Brukseli.
Me afrimitetin e saj gjithnjë e më të madh me ish-kryeministrin Albin Kurti, në kurriz të braktisjes së kryepartiakes së saj Vjosa Osmani, ajo prodhoi një kundërdiplomaci për Kosovën, sidomos me qëndrimet e saj konsekuente kundër UÇK-së dhe krerëve të luftës.
Dikur ajo kishte shpallur me grimasa krenarie se po depozitonte materiale në Speciale kundër Thaçit e Veselit – madje, kjo ishte shfrytëzuar edhe nga vetë ish-ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.
“Ju keni ndihmuar të akuzohet Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për krime me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, pra juve ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimeve të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit”, kishte thënë kryediplomati serb.
E tillë Gërvalla-Schwarz ishte përshfaqur edhe kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj më 2005 u vu në bankën e të akuzuarve nga Tribunali i Hagës.
Siç shkruan gazetari gjerman Erich Rathfelder te libri i tij Kosovo Geschichte eines Konflikts (Suhrkamp Verlag, 2012), e bija e Jusuf Gërvallës ishte prej atyre që nga Gjermania e fshikullonte me diatribe Haradinajn si “kriminel i rëndomtë e primitiv” (gewöhnlichen und primitiven Kriminellen).
“As 9 për qind e kosovarëve nuk votuan për Haradinajn, sepse shumë vetë e përshkruajnë atë si një kriminel të rëndomtë e primitiv që vepron me dhunë e në një mënyrë fort jodemokratike. Haradinaj u përbirua në pozitën e kryeministrit me anë të një loje të thjeshtë pushteti. Rugova e solli atë në kuvertë që të rizgjidhej si president. Më duket shumë e neveritshme dhe e papërgjegjshme”./Nacionale