Gërmimet në Rashkë të varura nga bashkësia ndërkombëtare
Edhe pse në fazën përfundimtare të gërmimeve, pala serbe ka ndërprerë punimet në lokacionet e Rudnicës ku po gërmohej për të gjetur trupa të pajetë shqiptarësh. Por, sipas Prenk Gjetaj, ndërprerja dhe vazhdimi i punimeve varet krejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Lajme
Prenk Gjetaj, ushtrues detyre i kryetarit të Komisionit për të Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se menjëherë pas ndërprerjes bashkë me kryetarin e delegacionit të Prishtinës kanë bërë kërkesë në Kryqin e Kuq për të pasur takim urgjent midis grupit punuesve.
Ai në emisionin “Info Magazinë” në Klan Kosova bëri të ditur se deri më tani janë 45 trupa që përfaqësojnë 45 individë, por ka edhe eshtra të tjera të shkapërderdhura e që kanë mbetur pa u identifikuar.
“45 trupa janë të sigurt që përfaqësojnë 45 individë. Mirëpo ka eshtra e mbetje të cilat janë të shkapërderdhur dhe mund të përfaqësojnë edhe individ të tjerë. Eshtrat që janë të dëmtuara nga zjarri është e pamundur të gjendet informacione për ato”.
“Sikur të ketë gatishmëri dhe vullnet bashkësia ndërkombëtare, sigurisht, kjo punë do të ecte dhe s’do të ndërpriteshin gjurmimet me kurrfarë çmimi. Madje edhe, po them kushtimisht, për lokacionin numër tre nuk ka nevojë kapacitete të mëdha teknike apo njerëzore, është fjala për ta seleksionuar atë pjesë të tokës dhe gurëve që kanë rrëshqitur”.
“Pala serbe dje gjatë komunikimeve që kishim është përpjekur për të na thënë se punimet nuk janë ndërprerje. Por kjo do të jetë vetëm për dy-tre javë, sepse shpresojnë të marrin donacionin t’i kryejnë punët me kompanitë shërbyese”, tha Gjetaj.