Gati 1 milion euro për pagat e deputetëve të legjislaturës së 10-të, e rreth 190 mijë për asistentët e tyre- 85 prej tyre aplikuan për pagën kalimtare prej 2 mijë euro
Pak ditë, pak punë e shumë para në xhirollogari. Kështu mund të përshkruhet periudha e shkurtër e funksionimit të kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 10-të. Fati i mirë për ta, e i keq për qytetarët e Kosovës është se të njëjtit do të vazhdojnë të marrin paga, e buxheti i Kosovës do të shkojë…
Lajme
Pak ditë, pak punë e shumë para në xhirollogari. Kështu mund të përshkruhet periudha e shkurtër e funksionimit të kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 10-të.
Fati i mirë për ta, e i keq për qytetarët e Kosovës është se të njëjtit do të vazhdojnë të marrin paga, e buxheti i Kosovës do të shkojë në xhirollogaritë e disave që asnjëherë nuk diskutuan për asgjë që lidhet me jetën e qytetarëve, për disa që folën vetëm për problemet që i preokuponin ata e për disa që sikur s’ishin farë në Kuvend.
Më saktësisht janë 85 deputetë nga legjislaturë e 10-të e Kuvendit të Kosovës të cilët kanë deklaruar se nuk posedojnë të hyra të tjerë financiare,e kësisoj kanë kërkuar që të marrin pagën kalimtare në vlerë prej 2 mijë euro.
Ani pse punë patën rreth 3 muaj Kuvend aktiv, këta të fundit kërkojnë pagat kalimtare për 12 muajt e ardhshëm, në rast se s’do të rizgjedhen më deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, 85 deputetë deklaruan se nuk kanë punë tjetër e të ardhura të tjera financiare, duke kërkuar kështu të drejtën e tyre për pagë kalimtare për 1 vit pa punuar.
Kjo pagë në fakt u mundësohet edhe përmes ligjit. Ligji për Detyrat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, që nga dita e përfundimit të mandatit nëse nuk realizojnë të hyra financiare nga ndonjë burim tjetër apo nuk pensionohen.
E në lidhje me krejt këtë, nga kuvendi i Kosovës në një përgjigje të dhënë për lajmi.net kanë njoftuar poashtu se shuma e përgjithshme e deputetëve të legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës ka qenë (mbi 936 mijë euro), 936,256.90 euro.
E jo vetëm kaq. Rreth 190 mijë euro nga buxheti i Kosovës janë ndarë edhe për stafin mbështetës politik në Kuvendin e Kosovës.
Saktësisht për pagat e asistentëve të deputetëve u shpenzuan: 189,898.39 euro.
E nëse llogaritet paga bazë për këta deputetë për pagë kalimtare i bie që nga buxheti i Kosovës të shpenzohen 1 milion e 975 mijë euro.
Sipas të dhënave për pagën bazë kanë aplikuar 46 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, që janë: Arbërie Nagavci, pastaj Rozeta Hajdari, Shqipe Mehmeti Selimi, Fatmire Kollçaku, Hysen Durmishi, e Avni Dehari që është afër 80 vjeç dhe të cilit i takon pensioni.
Nga PDK 13 deputetë, në krye me kryetarin e Partisë, Bedri Hamza, shefi i grupit parlamentar, Arian Tahiri, e deputetët Elmi Reçica, Mërgim Lushtaku e Blerta Deliu. 8 deputetë nga LDK, Jehona Lushaku, pastaj Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Lutfi Haziri e Doarsa Kica Xhelili. Gjashtë deputetë nga AAK, bashkë me ta Ramush Haradinaj e Daut Haradinaj. Kurse nga Lista Serbe aplikuan 10 deputetë.
Legjislatura e 10-të me radhë e Kuvendit të Kosovës e cila ishte jetëshkurtër përfundoi punën më 28 prill pasi nuk u arrit që të bëhej zgjedhja e presidentit.
Nga kjo legjislaturë u miratuan 11 ligje, e 24 marrëveshje./Lajmi.net/