Gashi dhe Krasniqi synojnë postin e kryesuesit të KPK-së, njëri prej tyre autor i aktakuzës për “Rezervat shtetërore”

Kandidaturat për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial i kanë paraqitur prokurori i Prokurorisë së Apelit, Arian Gashi dhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi. Zgjedhja e tyre pritet që të bëhet nëpërmjet votimit të fshehtë. Të dy anëtarët e kanë marrë mandatin para se të hynin në fuqi ndryshimet në Ligjin për KPK-në.…

Lajme

13/03/2026 08:54

Kandidaturat për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial i kanë paraqitur prokurori i Prokurorisë së Apelit, Arian Gashi dhe prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi.

Zgjedhja e tyre pritet që të bëhet nëpërmjet votimit të fshehtë.

Të dy anëtarët e kanë marrë mandatin para se të hynin në fuqi ndryshimet në Ligjin për KPK-në.

Prokurori Krasniqi është doktor i shkencave juridike në fushën e ndërmjetësimit në çështje penale dhe ka qenë student i dalluar gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës (UP). Ai ka qenë zyrtar në Ministrinë e Kulturës, në Anti-Korrupsion, e ka ushtruar pozitën e prokurorit në Prokurorinë e Prizrenit, ndërsa si prokuror special ka marrë pjesë në ekipe të përbashkëta hetimore me Shtetet e Bashkuara (SHBA), përderisa vazhdon që ta përfaqësojë Prokurorinë e Shtetit ndërkombëtarisht, në organizime si programet e “EuroJustit”.

Krasniqi, bashkë me zëvendëskryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, janë autorë të aktakuzës në rastin për rezervat shtetërore.

Për nga rreshtimi në konfliktet e fundit përbrenda KPK-së, të cilat janë shpërfaqur gjatë vitit të shkuar si dhe në fillim të këtij viti, Milot Krasniqi ka qenë pro shkarkimit të Besim Kelmendit nga detyra e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe kundër certifikimit të Elza Bajrami-Kastratit si anëtare në KPK, deri kur Gjykata Supreme vendosi ta certifikonte atë.