“Garë e barabartë dhe befasia quhet Dukagjini” – Sezoni vjeshtor i Superligës së Kosovës nën ‘llupën’ e trajnerëve Sokoli, Dragusha e Statovci
Me ndeshjen e zhvilluar më 21 dhjetor në Klinë, ku Ballkani barazoi pa gola me Dukagjinin, ka përfunduar sezoni vjeshtor i Albi Mall Superligës së Kosovës. FC Ballkani e mbylli këtë fazë në krye të tabelës me 33 pikë nga 18 ndeshje, duke u shpallur kampion vjeshtor. Në Superligën e Kosovës po zhvillohen gara jashtëzakonisht…
Lajme
Me ndeshjen e zhvilluar më 21 dhjetor në Klinë, ku Ballkani barazoi pa gola me Dukagjinin, ka përfunduar sezoni vjeshtor i Albi Mall Superligës së Kosovës. FC Ballkani e mbylli këtë fazë në krye të tabelës me 33 pikë nga 18 ndeshje, duke u shpallur kampion vjeshtor.
Në Superligën e Kosovës po zhvillohen gara jashtëzakonisht interesante dhe të balancuara, vlerësojnë trajnerët kosovarë Faruk Statovci, Muhamet Dragusha dhe Bylbyl Sokoli të cilët kanë dhënë analizat e tyre për rrjedhën e sezonit aktual, raporton lajmi.net.
“Është një garë shumë interesante dhe besoj se do të jetë shumë e fortë deri në fund. Ekipet janë të barabarta dhe nuk kam parë ndonjë ekip që është shumë superior ndaj të tjerëve”, tha ai.
Trajneri Faruk Statovci i tha Lajmi.net se këtë edicion nuk ka ndonjë ekip që dallohet dukshëm nga të tjerët, duke e bërë garën të fortë deri në fund. Sipas tij, KF Dukagjini është ekipi që ka befasuar më së shumti për të mirë, falë paraqitjeve të mira dhe qëndrueshmërisë në ndeshje.
“Mendoj se Dukagjini është ekip që ka befasuar për të mirë dhe ka pasur paraqitje të mira”, u shpreh ai.
Sa i përket garës për titullin e kampionit, Statovci ka përmendur Ballkanin, Dritën, Prishtinën dhe Malishevën si skuadra pretendente, ndërsa ka veçuar edhe paraqitjet e Dritës në arenën ndërkombëtare, të cilat i ka cilësuar si shumë pozitive për klubin dhe për futbollin e Kosovës në përgjithësi.
“Për titullin e kampionit, pretendentë janë Ballkani, Drita, Prishtina dhe Malisheva. Sa i përket paraqitjeve në garat ndërkombëtare, Drita është paraqitur shumë mirë, gjë që është e mirë si për vetë Dritën, ashtu edhe për futbollin e Kosovës”, tha trajneri kosovar Faruk Statovci.
Në anën tjetër, trajneri Muhamet Dragusha ka vlerësuar për Lajmi.net se krahas garës së fortë për titull, këtë sezon po zhvillohet edhe një betejë e ashpër për mbijetesë, ku disa skuadra po luftojnë për t’iu shmangur zonës që dërgon në Ligën e Parë.
Ai ka theksuar se ekipet kryesuese kanë avantazh falë organizimit të mirë, stabilitetit financiar dhe kontingjentit cilësor të futbollistëve, ndërsa nga mesi i tabelës e poshtë vërehen probleme në cilësi dhe menaxhim.
“Gara për titullin kampion është jashtëzakonisht e fortë këtë sezon, por ndërkohë ka nisur edhe një betejë e ashpër për mbijetesë, për t’iu shmangur zonës së rrezikshme që dërgon në një kategori më poshtë në Ligën e Parë. Skuadrat kryesuese po e thonë fjalën kryesore, pasi në radhët e tyre kanë organizim të mirë, stabilitet financiar dhe futbollistë cilësorë brenda kontingjentit. Ndërsa nga mesi i tabelës e deri në fund, vërehen cilësi mesatare, performanca më të dobëta, si dhe udhëheqje të gabuara, si nga stafet teknike, ashtu edhe nga kryesitë që drejtojnë klubet”, tha Dragusha për lajmi.net
Sipas Dragushës, befasia më e madhe e këtij gjysmësezoni mbetet KF Dukagjini, duke ia atribuuar suksesin udhëheqësisë së klubit, stafit drejtues dhe punës së trajnerëve.
Në garën për titull, Dragusha ka veçuar tri skuadra si pretendente serioze deri në fund: FC Ballkani, FC Prishtina dhe FC Drita. Ai ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e Ballkanit pas ndërrimit të trajnerit, duke e quajtur vendim të qëlluar të kryesisë.
“Për mua, befasia më e madhe e këtij gjysmësezoni është KF Dukagjini, për rezultatet dhe paraqitjet e tyre të qëndrueshme në çdo ndeshje. Merita e këtij suksesi i takon udhëheqësisë së klubit dhe stafit drejtues, në krye me Ismet Munishi, si dhe trajnerit që vazhdoi rrugën me sukses dhe stabilitet. Sa i përket garës për titull, për mendimin tim tre skuadra mbeten pretendente serioze deri në fund,FC Ballkani, FC Prishtina dhe FC Drita”, theksoi ai.
Për Prishtinën, Dragusha ka shprehur mendimin se largimi i trajnerit Thaqi ishte i gabuar, por beson se me përvojën e trajnerit Toverlani dhe disa përforcime cilësore, skuadra mbetet në garë për titull.
“FC Ballkani, pas ndërrimit të trajnerit, ka pasur një ecuri shumë pozitive. Në këtë rast duhet përgëzuar kryesia e klubit për përzgjedhjen e duhur të çelësit të suksesit. FC Prishtina, deri në një fazë të avancuar të sezonit ishte në krye, por vendimi për të mos i besuar trajnerit Thaqi, sipas mendimit tim, ishte i gabuar do duhej vazhduar me të deri në fund të sezonit dhe më pas të merrej një vendim i ri. Megjithatë, trajneri Toverlani, me përvojën dhe të kaluarën e tij, ka potencialin ta bëjë të pamundurën të mundur. Me 2–3 përforcime cilësore në afatin kalimtar, Prishtina mbetet një pretendente serioze për titull”, vazhdoi trajneri kosovar.
Sa i përket FC Dritës, kampione në fuqi, Dragusha ka theksuar se angazhimet evropiane po ndikojnë në ecurinë e ekipit në kampionat, por ka lavdëruar paraqitjet ndërkombëtare të gjilanasve, duke shtuar se një kualifikim në play-off të Conference League do të ishte historik për klubin dhe për futbollin e Kosovës.
Ai shprehu bindjen se në pjesën e dytë të sezonit Drita do t’i japë prioritet mbrojtjes së titullit dhe do të rikthehet me rezultate pozitive.
“FC Drita, kampione në fuqi, po penalizohet disi nga angazhimet evropiane, ku megjithatë po e përfaqëson denjësisht klubin dhe futbollin e Kosovës. Sigurimi i play-off it për Conference League do ta bënte Dritën një klub që po shkruan histori të madhe, pas FC Ballkanit. Besoj se në pjesën e dytë të sezonit skuadra nga Gjilani do t’i japë prioritet mbrojtjes së titullit dhe do të rikthehet me rezultate e performanca të mira, pasi në përbërje ka futbollistë të nivelit të lartë. I gjithë ky sukses i atribuohet kryesisë së klubit, stafit drejtues dhe aktorëve kryesorë në fushë, futbollistëve”, tha trajneri Muhamet Dragusha.
Gjithashtu, trajneri Bylbyl Sokoli vlerësoi se sezoni vjeshtor ishte mjaft i balancuar, duke theksuar se skuadrat ishin të barabarta dhe se secila kishte mundësi reale të rivalizonte dhe të fitonte ndaj çdo kundërshtari.
“Gara ishte e barabart ku secili secilin mund te rivalizoj dhe ta mund rivalin”, tha ai.
Ai veçoi si surprizë pozitive formën e mirë të Dukagjinit, duke ia atribuar këtë sukses si punës së trajnerit Munishi, ashtu edhe drejtimit të klubit që po funksionon në vazhdimësi.
“Befasia është forma e mirë e Dukagjinit që ështe meritë edhe e trajnerit Munishi por edhe e udhëheqesisë qe punon në kontinuitet”, shtoi ai.
Sipas tij, ekipet janë pothuajse të një niveli të njëjtë për nga cilësia, gjë që e bën garën shumë të fortë dhe konkurruese.
“Ekipet janë përafersisht për nga cilësia të perafert dhe gara për kët arsye është shumë rivalizuese”, u shpreh ai.
Në fund, Sokoli theksoi se ekipet vendore po fitojnë përvojë nga viti në vit dhe po tregohen gjithnjë e më të suksesshme.
“Ekipet tona po e fitojnë përvojën dhe për çdo vit jan më të sukseshme”, tha Sokoli.
Kampionati do të vazhdojë në mesin e muajit shkurt 2026./Lajmi.net/