Gara në Gjilan | Diaspora duket se nuk po ia siguron fitoren pa balotazh Alban Hysenit
Pavarësisht epërsisë së theksuar të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, votat e numëruara deri më tani nga diaspora nuk pritet të jenë të mjaftueshme për ta siguruar fitoren pa balotazh në garën për kryetar të komunës së Gjilanit. Deri më tani, Hyseni ka arritur në 22,140 vota, përkatësisht 49.81% të votave të vlefshme, duke…

Lajme
Pavarësisht epërsisë së theksuar të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, votat e numëruara deri më tani nga diaspora nuk pritet të jenë të mjaftueshme për ta siguruar fitoren pa balotazh në garën për kryetar të komunës së Gjilanit.
Deri më tani, Hyseni ka arritur në 22,140 vota, përkatësisht 49.81% të votave të vlefshme, duke qenë shumë afër pragut të 50% + 1 votë, por pa e kaluar atë. Ai kryeson me një diferencë të dukshme ndaj kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arbër Ismajli, i cili ka grumbulluar 15,245 vota, ose 34.30% të totalit, transmeton lajmi.net.
Në vend të tretë është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Riad Rashiti, me 5,402 vota ose 12.15%, ndërsa pjesa tjetër e kandidatëve kanë përqindje më të ulëta: Nazim Gagica (AAK) me 1.95%, Isa Agushi (BN Anamorava) me 1.43% dhe Ilir Poroshtica (GUXO) me 0.35%.
Në total, janë numëruar 44,442 vota, përfshirë ato nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe 85% të votave të ardhura nga diaspora. Ka mbetur vetëm një vendvotim për t’u numëruar nga votimi përmes postës, dhe bazuar në trendin aktual, ky numër i kufizuar votash nuk pritet të ndikojë mjaftueshëm për ta çuar Hysenin mbi 50%.
Përveç këtyre, janë edhe votat me kusht dhe ato të nevojave të veçanta, të cilat ende nuk janë përfshirë në procesin e numërimit dhe mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar. Megjithatë, duke marrë parasysh përqindjet aktuale dhe sasinë e votave të mbetura, gjithnjë e më shumë po duket se Gjilani do të shkojë drejt një balotazhi mes Hysenit dhe Ismajlit./lajmi.net/